Policia amerikane vret një grua me ngjyrë në dhomën e gjumit

  • 13 October 2019 - 13:38
Policia amerikane vret një grua me ngjyrë në dhomën e gjumit

Një grua zezake është qëlluar për vdekje nga policia nga dritarja e dhomës së gjumit të shtunën. Vrasja ndodhi pasi nga policia u kërkua që ta kontrollojë gjendjen e saj në shtëpi.

Atatiana Jefferson, 28 vjeçe, ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj në Fort Worth bashkë me nipin e saj 8 vjeç.

Një fqinj i saj tha se i ka thirrur shërbimet publike joemergjente, sepse ishte i brengosur kur e pa të hapur derën e shtëpisë së viktimës.

Policia i ka publikuar pamjet e siguruara nga kamerat e vendosura në trupat e policëve, ku shihet një përballje që zgjati pak sekonda.

Në pamje shihet policia duke qarkulluar në perimetrin e shtëpisë, kur më pas e shohin një figurë njeriu në dritare. Pasi kërkojnë nga personi që t’i mbajë duart lart, një polic qëllon me armë në xhamin e dritares.

Departamenti i Policisë tha se polici që ka qëlluar me armë, i cili i përket racës së bardhë, është ndier i kërcënuar kur e ka nxjerrë armën.

Zyrtarët shtuan se polici është suspenduar përkohësisht deri në zhvillimin e hetimeve për këtë rast, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)