Koalicioni VV-LDK, profesori i njohur ka një kërkesë serioze, ja cili është kushti

  • 13 October 2019 - 17:55
Koalicioni VV-LDK, profesori i njohur ka një kërkesë serioze, ja cili është kushti

“Koalicioni që do të ndërtohet është një çështje e vullnetit të mirë midis VV-së dhe LDK- së, por është hendikep që në Kosovë ende nuk e kemi ligjin mbi Qeverinë. Këtu tani është një mundësi tjetër, është e drejtë dhe obligim i koalicionit që ta caktoj numrin e ministrive dhe te ministrave, të zëvendëskryeministrave dhe të zëvendësministrave”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe analistët e njohur, përpjekjen për ndërtimin e koalicionit pas zgjedhor në mes të LVV-së dhe LDK-së. po e shohin si qasje të vullnetit të mirë për një shtet të kapur nga krimi e korrupsioni, por detyra e parë që duhet ta kenë në prioritet këto dy subjekte politike në fillim të mandatit, është bërja e ligjit për qeverinë, një dokument bazik që nuk është bërë edhe pas 11 viteve të funksionimit në pavarësi.

Image
Muhamet Krasniqi

Kështu mendon profesori i së drejtës dhe analisti i njohur, Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se të gjitha funksionet tjera, edhe ato që ndërlidhen me sundimin e ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, bazën e përgjegjësisë e marrin tek ligji për qeverinë i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligj që nuk e kanë bërë sot e kësaj dite asnjë nga koalicionet e kaluara.

“Koalicioni që do të ndërtohet është një çështje e vullnetit të mirë midis VV-së dhe LDK- së, por është hendikep që në Kosovë ende nuk e kemi ligjin mbi Qeverinë. Këtu tani është një mundësi tjetër, është e drejtë dhe obligim i koalicionit që ta caktoj numrin e ministrive dhe te ministrave, të zëvendëskryeministrave dhe të zëvendësministrave. Por, llogarisë që në këtë mandat, për këtë çështje, do ta nxjerrin Ligjin mbi Qeverinë, në mënyrë që çështja ta merr rrugën e drejtë dhe të sanksionohet gjithë përgjegjësia dhe mënyra e funksionimit të ekzekutivit, të bazuar në ligj dhe jo në marrëveshje politike. Ka kaluar një kohë e gjatë pa Ligjin për Qeverinë dhe konsideroj që nuk duhet lejuar më tutje manovrime me Qeverinë dhe dikasteret ministrore”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesor Kelmendi thotë se pavarësisht vullnetit të mirë për ndryshimin e qeverisjes së deritanishme, para ekzekutivit të ri do të ketë obligime me plotë sfida për të vënë në binar funksionimin e shtetit, e sidomos në raportet e komunikimit me shtetin serb.

“Ndër çështjet parësore dhe urgjente është që të bëhen përgatitjet për të dal si shtet serioz në raport me shtetin kriminal serb. Duke e hequr taksen do të krijohen vetëm probleme shtesë që do ti vijnë Kosovës, dhe natyrisht është edhe një mundësi për fitore të Beogradit”, tha profesor Kelmendi, sipas të cilit me këtë shtet duhet të flitet vetëm mbi problemin e njohjes së ndërsjellët dhe për asgjë tjetër.

Sipas Kelmendit, sfidat tjera të brendshme janë krejtësisht të tejkalueshme, nëse partnerët kanë vullnet serioz politik, e sidomos tek sundimi i ligjit dhe zhvillimi i lirë i ekonomisë së tregut pa monopol.

“Çështjet tjera vijnë dhe zgjidhen me vullnet të mirë politik dhe gatishmëri për përgjegjësi e llogaridhënie, njëra pas tjetrës, edhe pse brenda vendit ka vështirësi të mëdha”, tha Muhamet Kelmendi.

Funksionimi i shtetit ligjor, sipas tij është një detyrë parësore që përfshinë të gjitha fushat.

“Këtu duhet të nisemi nga integrimi i territorit akoma të pa integruar në tërësi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, sikundër edhe spastrimi i organeve të shtetit, si të prokurorisë, gjykatave, administratës, bordeve, policisë dhe AKI-së, përmes procesit të dekriminalizimit dhe ligjit VETING”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu ka thënë se të gjithë këto çështje, janë premtuar se do të zgjidhen në mandatin e qeverisjes së Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin.

“Tash ne do të jemi vazhdimisht duke e përcjell dhe vlerësuar për të gjitha zotimet dhe veprimet, Do të presim veprime konkrete edhe sa i takon monopolit në fushën e homologimit, por edhe dukurit tjera korruptive e kriminale që duhet të luftohen. Tash për tash është herët për të dhënë ndonjë prognozë se si dhe sa do të realizohen ato sepse para së gjithash është një çështje e vendosmërisë dhe guximit të veprimit”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)