Arrestohet drejtori i Infrastrukturës në Komunën që drejtohet nga Ramiz Lladrovci

  • 15 October 2019 - 18:13
Arrestohet drejtori i Infrastrukturës në Komunën që drejtohet nga Ramiz Lladrovci

Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë kanë arrestuar sot drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Drenasit me inicialet I.H, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I.H dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij në Komunë, në favor të kompanisë së tij.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

Njoftimi i plotë:

Arrestohet nga krimet ekonomike të Policisë një person i dyshuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”

Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të Prokurorisë kompetente, bazuar në informacionet e pranuara për keqperdorime të mundshme në komunën e Drenasit, pas hetimeve disa mujore ka ndermarr veprimet e nevojshme hetimore dhe ka rezultuar se, i dyshuari me iniciale (I.H) drejtor i Infrastrukturës në komunën e Drenasit, për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndertimin e objekteve banesore) ka keqperdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Pas ndermarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimin e dëshmive, intervistimin e palëve dhe intervistimin e  personit të dyshuar me iniciale të lartpërmendura (I.H), i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për procedura të mëtejme.

(Kosova Sot Online)