Ja se çka u mor gjatë aksionit në veri, po kërkohet edhe i dyshuari i tretë

  • 16 October 2019 - 08:51
Ja se çka u mor gjatë aksionit në veri, po kërkohet edhe i dyshuari i tretë

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani deklaroi për medien se në ketë operacion janë gjetur dhe konfiskuar tri armë dhe municion ndërsa janë të dyshuar tre persona( dy prej të cilëve janë arrestuar) që kanë ndërlidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin për aksionin policor në Veri të Mitrovicës i cili ka nisur sot në orët e hershme të mëngjesit në kuadër të hetimeve për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka deklaruar se deri më tash janë arrestuar dy persona ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit të tretë.

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në Veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. O. Ivanoviq. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore , Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi te dyshuar zyrtar policor i nacionalitetit serb ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor mbetet në kërkim.”, ka deklaruar medien.

Ai bëri të ditur se gjatë operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar tek i cili është gjetur një armë.

Zëdhënësi i Policisë theksoi se në ketë operacion janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion.

E në lidhje me vrasjen e politikanit serb deri tani janë arrestuar 6 persona, dy prej të cilëve janë liruar. Ndërsa shteti ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Milan Radojiçiqin i cili po fshihet në Serbi.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës ka udhëhequr SDP’në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018.

(Kosova  Sot Online )