Flet INTERPOL-i pas tërheqjes së kërkesës për anëtarësim nga Kosova

  • 17 October 2019 - 14:22
Flet INTERPOL-i pas tërheqjes së kërkesës për anëtarësim nga Kosova

INTERPOL ka konfirmuar se ka  pranuar kërkesën e institucioneve të Republikës së Kosovës për shtyrje të kërkesës për anëtarësim deri në vitin tjetër. Si rrjedhojë çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk do të jetë pjesë e punimeve të Asamblesë së 88-të Gjenerale që po mbahet në Kili, që përmbyllen sot.

Anëtarësimi në INTERPOL po duket një prag i pakapërcyeshëm për Kosovën. Për shkak të situatës politike në vend, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të fillimit të punës së Asamblesë Gjenerale të kësaj organizate, ka kërkuar që të shtyhet aplikimi i Kosovës për anëtarësim deri në vitin tjetër.

Në një përgjigje zyrtare nga INTERPOL për medie kanë treguar se kanë pranuar dje kërkesën e Republikës së Kosovës për shtyrje të aplikimit për anëtarësim dhe kanë konfirmuar se kjo çështje nuk do të diskutohet përgjatë punimeve të Asamblesë Gjenerale.

Kjo kërkesë e institucioneve të Republikës së Kosovës për shtyrje të aplikimit kishte ardhur si pasojë e tranzicionit ku gjendet aktualisht vendi, pas zgjedhjeve që janë mbajtur më 6 tetor.

“Më 15 tetor, INTERPOL ka pranuar një letër nga autoritetet në Kosovë se për shkak të ndryshimeve në qeveri, ata dëshirojnë që të shtyjnë aplikimin e tyre për anëtarësim deri në vitin tjetër kur do të mbahet Asambleja Gjenerale e radhës. Bazuar në këtë, kjo çështje nuk do të merret në konsideratë përgjatë punimeve të Asamblesë Gjenerale të 88-të që po mbahen në Santiago të Kilit”, thuhet në përgjigjen.

Fillimisht letra e Haradinajt drejtuar zyrtarëve të INTERPOL’it ishte publikuar nga mediat serbe, dhe më pas një gjë e tillë ishte konfirmuar edhe nga vetë zyra e kryeministrit në detyrë.

Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk jepnin përgjigje, duke thënë se duhet drejtuar tek zyra e kryeministrit.

Kjo është hera e dytë që Republika e Kosovës zmbrapset nga përpjekja për anëtarësim në INTERPOL, ndërsa hera e pestë që dështon.

Lidhur me përpjekjet e Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL, ka pasur një fushatë të egër të Serbisë, shtet i cili lobonte tek të gjitha vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, që të mos e përkrahin.

Ndërkohë kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, e ka cilësuar si një fitore të vogël politike.

Asambleja Gjenerale e INTERPOL’it ka filluar punimet më 15 tetor dhe do t’i përfundojë ato sot më 18 tetor.

(Kosova Sot Online)