Policit të arrestuar në veri i caktohet një muaj paraburgim

  • 18 October 2019 - 14:52
Policit të arrestuar në veri i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh policit të arrestuar në veri, Rade Basara, raporton media.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special – gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.B për shkak të veprave penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283/1 të KPRK-së dhe Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422/2 të KPRK-së.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit R.B i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kushti kryesor për caktimin e paraburgimit, po ashtu është plotësuar kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.2 pika 1.2.1. të KPRK-së, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale.

Gjithashtu janë përmbushur edhe kriteret nga pika 1.2.2 të nenit 187 par.1 ngase bazuar në rrethanat konkrete të rastit ka arsye për të besuar se i pandehuri R.B po të gjendet në liri do të asgjësoj, fshehë apo ndryshojë ose falsifikoj provat e veprës penale, kjo ngase rrethanat e posaçme tregojnë se i pandehuri do të pengojnë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)