Albin Kurti 'godet' Ramen: Kujdes me Serbinë

  • 20 October 2019 - 20:24
Albin Kurti 'godet' Ramen: Kujdes me Serbinë

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shkuar në Tiranë për të festuar fitoren e tij. Nuk e ka takuar Edi Ramën, por e ka porositur përmes mediave. “Kujdes me Serbinë”, thotë Kurti kur flet për takimet e fundit Rama – Vuciq.

Duke komentuar takimin në Novi Sad të kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Presidentit të Serbisë për “minishengenin ballkanik”, kreu i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka një mesazh të qartë: Kujdes me Serbinë!

Deklaratën Kurti e bëri nga Tirana, pas aktivitetit të organizuar nga Qendra e VV-së në Tiranë për fitoren e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 6 tetor.

“Mendoj që duhet të kemi kujdes sa i përket raporteve me Serbinë meqenëse dihet se çfarë u ka bërë Serbia shqiptarëve nga njëra anë dhe dihet që para tre viteve tentoi një puç në Maqedoni të Veriut por i dështoi, një puç bashkë me Rusinë. Është në interes të Serbisë që të duket sa më normale ndërkohë që nuk është”, ka thënë Kurti në Tiranë.

Ai sot nuk e takoi Ramën, me të cilin e ka pasur raportet e acaruara vitin e fundit, por thotë se me kryeministrin e Shqipërisë mund ta takohet ditëve në vijim.

(Kosova Sot Online)