Paralajmërimi: Ky është rreziku i ri për Kosovën...

  • 22 October 2019 - 07:30
Paralajmërimi: Ky është rreziku i ri për Kosovën...

David Kostelancik, drejtor i Shërbimit për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që Uashingtoni të organizojë një konferencë vitin e ardhshëm, me synimin për të finalizuar një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

E lidhur me këtë, për "Kosova Sot Online", foli analisti Dardan Grapci, sipas të cilit marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfundojë para zgjedhjeve që do të mbahen në Amerikë.

Image
Dardan Grapci

"Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë urgjentisht të përfundoi para zgjedhjeve Presidenciale në Amerikë. Shtrohet pyetja, se për çka organizohet kjo konferencë dhe me çfarë synimi? Duke e ditur qëndrimin e SHBA-së karshi Kosovës, ata gjithashtu kanë deklaruar që nuk do përzihen në bisedime dhe cilado marrëveshje që bëhet mes Kosovës dhe Serbisë ata do ta mbështesin", tha Grapci për "Kosova Sot Online".

Sipas Grapcit, nëse në këtë konferencë flitet për shkëmbim të territoreve atëherë, siç thekson ai, kjo konferencë është e dëmshme.

"Gjithashtu nëse në këtë konferencë pritet që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë territore siç edhe po planifikohet nga dyshja Vuçiq dhe Thaçi, atëherë kjo marrëveshje do jetë rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe Ballkanin Qendror duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria”, potencoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Tutje, ai tha se duhet të publikohen pikat se çfarë do të flitet në këtë konferencë dhe të mbahet në të mirë të Kosovës.

"Prandaj dhe besoj që David Kostelancik do ti publikoj pikat se për çka do flasin në këtë konferencë vitin e ardhshëm, dhe pastaj mund të themi se a është në të mirë të Kosovës apo jo. Konferenca duhet të mbahet, por jo në dëm të Kosovës", përfundoi Grapci për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)