Vjen paralajmërimi: Ky është ‘tërmeti’ i radhës që godet skenën politike

  • 22 October 2019 - 07:48
Vjen paralajmërimi: Ky është ‘tërmeti’ i radhës që godet skenën politike

“Pas rënies së të gjitha bastioneve të partive politike në zgjedhjet e 6 tetorit, është moment më duhur tani që të ndodhë edhe reforma e thellë zgjedhore dhe deputetët që zgjidhen të mos jenë servilë të liderëve e grupeve të ngushta të interesit brenda partiak, por përgjegjës ndaj zgjedhësve të tyre”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Përveç fitores së thellë të opozitës në zgjedhjet e 6 tetorit, ana e dytë pozitive e këtyre zgjedhjeve, sipas analistëve politikë është thyerja e plotë e bastioneve të partive politike në rajone të ndryshme të Kosovës, mirëpo edhe ky ndryshim nuk mjafton si i tërë.

Analistët politik kërkojnë që kjo arritje e madhe në reformimin e politikës, të shoqërohet edhe me reformën rrënjësore të sistemit zgjedhor. Sipas tyre, këtë proces duhet të merret legjislatura e re, e cila prioritet gjatë mandatin duhet ta ketë ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve dhe ndarjen e në baza zonale.

Këtë reformim dhe fuqizim të demokracisë së drejtpërdrejtë, e kërkon me urgjencë edhe analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

”Reforma zgjedhore duhet të jetë ndër prioritetet e para të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Kalimi nga një zonë zgjedhore në disa sosh, dhe zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, përveç se do të evitonte shumë mangësi elektorale, do të hiqte "pazarin" në mes subjekteve politike për të parin e shtetit, i cili në të shumtën e rasteve po bëhet "mollë" sherri për prishjen e koalicioneve qeveritare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, "tërmeti" politik që ndodhi në zgjedhjet e 6 tetorit, e shtron nevojën e ndryshimeve urgjente në sistemin zgjedhor si tërësi.

“Pas rënies së të gjitha bastioneve të partive politike në zgjedhjet e 6 tetorit, është moment më duhur tani që të ndodhë edhe reforma e thellë zgjedhore dhe deputetët që zgjidhen të mos jenë servilë të liderëve e grupeve të ngushta të interesit brenda partiak, por përgjegjës ndaj zgjedhësve të tyre. Nga ky moment shoqëria civile dhe ekspertët duhet të mobilizohen për të shtuar presionin ndaj Kuvendit dhe Qeverisë së re për ndryshimin e plotë të sistemit zgjedhor, që të kemi sa më shumë zona zgjedhore, në mënyrë që deputetët ti përgjigjen zonës së caktuar dhe jo të vazhdojnë të mbeten akoma argat servilë dhe të dëgjueshëm të liderit të pastrisë, sikur që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë akoma”, shtoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ndryshe, Zeqa thotë se Kosova nuk mundë të ecë përpara në zhvillimin dhe avancimin e demokracisë së mirëfilltë, por do mbetet e kontrolluar nga mafio-politika dhe grupet kriminale të Interesit.

“Përderisa Kosova vazhdon të mbetet një zonë e vetme zgjedhore, grupet mafio-kriminale brenda partive politike do të blejnë përsëri vota për kandidatët gjithandej nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës pa dallim dhe pa kufizim. Pa heqjen e ndikimit të liderëve partiak ndaj deputetëve, këta të fundit për të ruajtur pavarësinë dhe besimin ndaj elektoratit të tyre, duhet të rebelohen kundër liderit të partisë ose të kalojnë konjukturat partiake duke kaluar si deputet të pavarur në kuvend që mbrojnë interesat e zgjedhësve të tyre e jo të liderëve partiak dhe grupeve të interesit brenda partisë”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)