Trump: Disa ushtarë amerikanë do të qëndrojnë në Siri

  • 22 tetor 2019 - 10:07
Trump: Disa ushtarë amerikanë do të qëndrojnë në Siri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se disa trupa amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Siri, pavarësisht urdhrit që e kishte dhënë për tërheqjen e tyre.

Ai tha se një pjesë e ushtarëve që do të qëndrojnë në Siri do ta kenë për detyrë mbrojtjen e fushave të naftës, ndërsa një grup tjetër do të vendoset pranë kufirit me Izraelin dhe Jordaninë.

Vendimi i tij i para dy javëve për t’i tërhequr forcat amerikane nga kufiri mes Sirisë dhe Turqisë u kritikua nga shumë figura, përfshirë edhe disa përkrahës të tij.

Pak ditë pas këtij vendimi, Turqia e filloi ofensivën ushtarake në Siri, duke shkaktuar dhjetëra viktima. Tash për tash është duke u mbajtur një armëpushim pesëditor, por konflikti mund të vazhdojë së shpejti.

Pas akuzave për tradhti ndaj kurdëve, presidenti Trump e mbrojti vendimin e tij për tërheqjen e ushtrisë. “Pse duhet t’i vendosim ushtarët tanë në mes të dy grupeve të mëdha me qindra mijëra njerëz, të cilat janë duke luftuar mes vete? Unë nuk mendoj kështu. Unë jam zgjedhur që t’i sjell ushtarët tanë në shtëpi”, tha ai.

Megjithatë, ai njoftoi se Izraeli dhe Jordania kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që t’i vendosin disa trupa pranë kufijve të tyre me Sirinë.

Pavarësisht premtimit të presidentit amerikan për t’i kthyer në atdhe ushtarët amerikanë, në mbarë botën tash për tash gjenden rreth 200 mijë trupa të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)