Talibanët vrasin 15 policë në veri të Afganistanit

  • 22 October 2019 - 13:53
Talibanët vrasin 15 policë në veri të Afganistanit

Pesëmbëdhjetë policë afganë janë vrarë gjatë luftimeve me talibanët në provincën veriore të Kunduzit. Lajmin e bëri të ditur një anëtar i këshillit lokal të këtij rajoni.

Ghulam Rabbani tha se policët u vranë të martën, kur militantët talibanë e sulmuan një pikë kontrolli në Ali Abad pasi e kishin organizuar një pritë kundër tyre.

Një zëdhënës i talibanëve konfirmoi se ky grup qëndron prapa sulmit të përgjakshëm, i cili ndodhi në kohën kur po zhvillohen luftime të vazhdueshme në provincat Dashti Archi dhe Imam Sahib.

Ndryshe, talibanët e kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit dhe vazhdimisht kanë kryer sulme të përgjakshme kundër forcave të sigurisë. Luftimet mes dy palëve kanë shkaktuar qindra viktima civile.

Në fillim të shtatorit, i dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad, e arriti një marrëveshje preliminare me talibanët për t’i dhënë fund luftës që nisi para 18 vjetësh, por presidenti amerikan, Donald Trump, tha më vonë se procesi i negociatave është i vdekur.

Gjatë një vizite në Kabul, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, u tha zyrtarëve afganë se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të ofruar ndihmë për Afganistanin pas frikës se ShBA-ja mund t’i tërheqë trupat, njësoj siç bëri në Siri, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)