Këta janë shqiptarët e arrestuar në Spanjë për dhjetëra grabitje. Kush është “Karkaleci” që drejtonte grupin. Më i ‘madhi’ jetë luksi në Shqipëri

  • 23 tetor 2019 - 08:01
Këta janë shqiptarët e arrestuar në Spanjë për dhjetëra grabitje. Kush është “Karkaleci” që drejtonte grupin. Më i ‘madhi’ jetë luksi në Shqipëri

Pas arrestimit të tre shqiptarëve dhe shpalljen në kërkim të një të katërti, mediat spanjolle tregojnë se kush qëndron në krye të grupit që vidhte shtëpitë e futbollistëve të njohur spanjollë.

Marjan Zefi është drejtuesi i bandës, i përbërë nga shqiptarë. Ai është 48 vjeç dhe i ashtuquajtur “Karkaleci”. Ai është i veshur me një bluzë të verdhë dhe xhinse dhe kur zbret, i “shkel syrin” kamerës që e filmon gjatë arrestimit të premten e kaluar.

Ai vepronte nën urdhrat e Astrit Bushit, shqiptar që është rikthyer në Shqipëri, ku jeton në luks pas vuajtjes së dënimit, siç shkruajnë mediat në Spanjë.

Tani Zefi drejtonte këtë qelizë të vogël kriminale. Zefi ka të shkuar të gjatë për plaçkitje me forcë. Deri në katër grabitje janë zbuluar në të njëjtën ditë.

Gjithashtu, akuzohet për trafikun e drogës dhe falsifikimin e dokumenteve.

Zefi dhe grupi i tij kanë kryer të paktën 50 grabitje nga muaji maj, por vetëm 14 prej tyre janë faktuar të kryera nga ata.

Tre të tjerët të arrestuarit janë më të rinj, siç shihen edhe në video. Hierarkia është themelore në këto organizata. Ata u arrestuan veçmas, në rrugë, kur po përgatiteshin të takoheshin, ndoshta duke planifikuar një grabitje të re.

Ata njihen si ‘murcigleros’ (lakuriq nate) sepse vjedhin shtëpitë me banorët e tyre brenda. Megjithatë, ata përpiqeshin të shmangnin dhunën sepse e dinë se dënimet janë edhe më të rënda. Ata hynin nëpër shtëpi duke shkatërruar fillimisht sistemet e vëzhgimit dhe alarmet, duke ndërprerë energjinë elektrike. Levat përdoreshin për të hapur dyert ose dritaret.

Ata vepronin në fytyrë të mbuluar dhe me doreza për ta bërë të vështirë identifikimin.

Ata shisnin gjithçka që vidhin në kohën më të shkurtër të mundshme dhe pasi të vilnin fitimet ktheheshin në vendin e tyre (në Shqipëri) për muaj të tërë, duke “pushuar”. Kur mbaronin fondet, ata ktheheshin në Spanjë. Zefi dhe grupi i tij kanë vite që jetojnë në Madrid.

 

Sulm në vilën e producentit televiziv

Gjashtë burra me kapuç hynë në shtëpinë e producentit të televizionit José Luis Moreno, në Boadilla del Monte, në 20 dhjetor 2007. Artisti rezistoi dhe mori një goditje me një sëpatë në kokë që shkaktoi një traumë të rëndë. Më pas u arratisën duke kaluar një gardh dy metra të lartë.

Tetë persona u arrestuan në nëntor 2008 nën operacionin “Luna Luna Aguacate”. Ata u akuzuan për kryerjen e më shumë se 30 sulmeve në shtëpitë e të pasurve në Madrit në vetëm katër muaj.

Në kontrollin e shtëpive të të arrestuarve, agjentët zbuluan më shumë se dhjetë mijë euro para dhe gjashtë monedha ruse për të përkujtuar Lojërat Olimpike të Moskës.

Drejtuesi i grupit që sulmoi vilën e Moreno ishte shqiptari Astrit Bushi. Në mars 2009, ai u la i lirë gabimisht. Ai u transferua nga burgu i Valdemoro në gjykatat e Alcobendas për ta gjykuar atë për një çështje tjetër. Por gjyqtari e liroi, pavarësisht se kush ishte ai, duke pritur të thirrej për të dëshmuar për vjedhje në shtëpinë e José Luis Moreno.

Fred Deda, një bashkatdhetar tjetër ishte gjithashtu i përfshirë në grup. Ndodhi saktësisht njësoj si me Bushin. Ai po vuante një burg të përkohshëm në Estremera kur u transferua në gjykatë për të dëshmuar dhe kur u la i lirë për atë shkak, ai shkoi i qetë në rrugë. Deda u arrestua dy ditë më vonë dhe u fut përsëri në burg në Madrid.

(Kosova Sot Online)