A po zbehet roli i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi?

  • 23 tetor 2019 - 08:08
A po zbehet roli i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi?

Kusht që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, është një marrëveshjeje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre.

Ky kusht është ritheksuar edhe në përpjekjet e fundit por rifillimin e bisedimeve aktualisht të të pezulluara që nga nëntori i vitit të kaluar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Por, sa mund të jetë motivues një kusht i tillë pas refuzimit të Bashkimit Evropian që të fillojë negociatat për anëtarësim me Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë?

Analistët në Kosovë thonë se përvoja e këtyre dy vendeve hedh dyshime mbi rolin e Bashkimit Evropian.

“Është shqetësuese përvoja e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian dhe konsideroj që kjo përvojë ka dëmtuar rolin e Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo përvojë ngreh dyshime të bazuara mbi aftësinë e Bashkimit Evropian për të shërbyer në rolin nxitës për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Kosovës e Serbisë. Kujtojmë se avancimi i agjendës evropiane, avancimi i agjendës së integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë ka qenë pikë qendrore në bisedimet e deritanishme në mes Kosovës e Serbisë. Mirëpo, trajtimi i Maqedonisë së Veriut nga Bashkimi Evropian shfaq një disponim aspak të favorshëm brenda Bashkimi Evropian për avancimin e çfarë do lloj agjende të tillë për Ballkanin dhe rrjedhimisht për Kosovën e Serbinë”, thotë Përparim Kryeziu, nga Grupi për studime juridike dhe politike.

Ndërsa, ligjëruesi i së drejtës së Bashkimit Evropian, Artan Murati thotë se arritja e një marrëveshjeje nuk do të garantoj përparim drejt integrimeve evropiane pasi që sipas tij, vet Bashkimi Evropian është i paqartë.

“Rasti i Maqedonisë së Veriut është rasti më konkret se ne duhet të jemi të kujdesshëm në atë se çka ose si synojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian sepse nuk kemi garanci absolute për momentin që një gjë e tillë mund të ndodh pavarësisht a arrihet marrëveshja me Serbinë a jo”, tha zoti Murati.

Zoti Murati thotë se edhe Kosova edhe Serbia nuk duhet të ndërlidhin një marrëveshje normalizimi vetëm me aspiratat evropiane sepse një marrëveshje do të kontribuonte në radhë të parë paqes në rajon.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje do të mund të definoheshin disa aspekte tjera të anëtarësimit në organizata tjera, për shembull ulësja në OKB ose anëtarësimi në Këshillin e Evropës e kështu me radhë, do të thotë, nuk duhet të trajtohet vetëm nga aspekti i Bashkimit Evropian mirëpo ka edhe organizata tjera ndërkombëtare të cilat do të ishin shumë të mirëseardhura një anëtarësim i Kosovës pas definimit të çështjeve me Serbinë”, tha zoti Murati.

Përparim Kryeziu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se vendimet e fundit mund të zbehin vet rolin e Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Rrjedhimisht dështimet e fundit mund të dëmtojnë dukshëm dhe t’i kundërvihen Bashkimit Evropian dhe rolit të saj në dialogun Kosovë-Serbi ndonëse unë konsideroj që roli i BE-së duhet të jetë qendror. Druaj se tani e tutje Bashkimi Evropian të shpërfillet nga ky proces dhe kështu të ketë përfshirje të shteteve tjera dhe faktorizim të shteteve tjera prej të cilave Rusia padyshim se ngreh shqetësime të mëdha”, tha zoti Kryeziu.

Kosova aktualisht gjendet përballë sfidës së krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të mbajtura më gjashtë tetor. Qeveria e re që pritet të dal pas procesit të certifikimit të rezultateve, do të përballet posaçërisht në gjetjen e rrugës për të ripërtërirë bisedimet me Serbinë.

(Kosova Sot Online)