Në burg për vrasjen e kushëririt/ Zbardhet dëshmia e 26-vjeçarit: Çfarë ndodhi, unë po ecja përpara kur…

  • 24 October 2019 - 11:49
Në burg për vrasjen e kushëririt/ Zbardhet dëshmia e 26-vjeçarit: Çfarë ndodhi, unë po ecja përpara kur…

Akuzohet se vrau kushëririn e tij për parcelat me kanabis, e tradhtojnë emocionet para hetuesve.

Marash Arraj, 26 vjeç, prej dy ditësh është i arrestuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të xhaxhait. I riu dyshohet se është personi që ka qëlluar dy herë me kallashnikov mbi Lazër Arraj, 55 vjeç, në momentin që po kthehej nga fshati i lindjes për në qytetin e Shkodrës.

Sot gjykata vendosu arrest me burg me afat 40 dite per Marash Arra. Vendimi u dha nga gjykata e shkalles se pare ne Shkoder. Eshte vete prokurorja e çeshtjes Esmeralda Ndoci ajo e cila kerkoi kete mase sigurie me afat per te pritur aktet e ekspertimit te rrobave dhe prova te tjera plotesuese. Ne sallen e gjyqit i dyshuari nuk ka pranuar akuzat ndaj tij duke thene se nuk ka asnje lidhje me vrasjen. Gjyqtarja e çeshtjes eshte Ermira Dedja.

DËSHMIA

Marash Arraj, para grupit hetues që po punon për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Dukagjin më 21 tetor, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. 26-vjeçari ka deklaruar se nuk e ka vrarë ai Lazër Arrajn dhe se nuk ka asnjë dijeni se kush mund të jetë autori i kësaj vrasjeje të ndodhur.

Pavarësisht mohimit të akuzave që ka bërë, Marash Arraj vazhdon që të jetë i arrestuar nga forcat e Policisë si autori kryesor i dyshuar në vrasjen e 55- vjeçarit.

“Unë kam qenë duke u kthyer me kushëririn, pasi kemi ngarkuar prodhimet e dimrit për t’i nisur drejt Shkodrës. Unë kam kaluar përpara, duke ecur në këmbë drejt shtëpive që kemi në fshatin Palaj dhe e kam lënë mbrapa kushëririn. Pasi kam ikur, janë dëgjuar krismat. Më pas jam kthyer për të parë se çfarë po ndodhte dhe e kam gjetur të vrarë kushëririn. Nuk e kam vrarë unë, nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje dhe nuk e di as se kush mund të jetë autori, sepse nuk kam parë asnjë njeri”, mësohet të ketë thënë 26-vjeçari gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Shkodrës.

Pavarësisht mohimit të akuzave, Policia vazhdon të besojë se është pikërisht ai autori nisur nga disa indicie. Dyshimet kryesore të Policisë lidhen me faktin se askush nuk jep detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes, duke bërë që të gjitha dyshimet të bien mbi të afërmit e 55-vjeçarit.

Nga ana tjetër, babai i të dyshuarit kryesor dhe vëllai i tij, edhe ata të shoqëruar, janë liruar nga Policia duke mos pasur akuza apo dyshime ndaj tyre si bashkëpunëtorë në këtë vrasje të ndodhur në fshatin Palaj të njësisë Shosh. Edhe familjarët e të arrestuarit, njëkohësish kushërinj të viktimës, u mbajtën për disa orë në Polici dhe janë marrë gjatë në pyetje, por më pas janë lënë të lirë. 

Policia, një ditë pas ngjarjes, është nisur sërish drejt Dukagjinit për të mbledhur prova, siç janë gëzhojat e dy plumbave që kanë vrarë 55-vjeçarin, por nuk kanë arritur t’i gjejnë. Deri më tani, Policia nuk ka prova faktike ndaj të dyshuarit si autor i vrasjes, por vetëm disa indicie, që sipas efektivëve e lidhin shtetasin Marash Arraj me vrasjen e ndodhur.

VRASJA

Dy plumba në trup teksa ndodhej në një rrugë dytësore i morën jetën Lazër Arrajt paraditen e së martës. Kushëriri i dyshuar si autor i vrasjes, bashkë me vëllain dhe babain e tij janë ata që kanë njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur. Kushërinjtë kanë deklaruar se ka qenë ora 10:00 kur kanë dëgjuar dy krisma dhe kanë shkuar drejt rrugës kryesore për të parë se çfarë ka ndodhur, e kështu janë përballur me kushëririn e tyre Lazër Arrajn, i shtrirë përtokë dhe pa shenja jete.

Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, kushërinjtë janë shoqëruar në Polici dhe pas marrjes në pyetje, ata kanë qenë të paqartë në tregimin e ngjarjes. Tashmë ka dyshime të forta për efektivët se një nga autorët e kësaj vrasjeje është pikërisht njëri nga kushërinjtë.

Një prej pistave që Policia e Shkodrës ka rreth kësaj vrasjeje të ndodhur, është një konflikt i ndodhur për disa parcela droge në fshatin Palaj. Muajt e fundit, pas disa aksioneve të Policisë janë asgjësuar rreth 1 mijë rrënjë kanabis sativa. Kjo është një pistë e pakonfirmuar zyrtarisht, por të cilën Policia e sheh si një prej pistave të mundshme.

(Kosova Sot Online)