Kjo është kërkesa e radhës për qeverinë re të Kosovës

  • 26 October 2019 - 07:34
Kjo është kërkesa e radhës për qeverinë re të Kosovës

“Sipas të gjitha gjasave, duket se ky proces është ruajtur qëllimisht për të bërë pikërisht tani pazare politike me Serbinë dhe me akuzat në pritje nga Gjykata Speciale për disa nga eksponentë e nivelit të lartë të ish UÇK-së, të cilët së fundmi edhe i kanë marr ftesat për intervistim”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Për njohësit e historisë së fundit të luftës nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe krimet dhe gjenocidin serb që ka përjetuar populli shqiptar, ka tingëlluar me habi, madje befasishëm lajmi për arrestimin e një serbi të dyshuar dhe akuzuar për krimet e luftës në Kosovë, mu në mes të Prishtinës në njërën nga lagjet më të banuara, në Emshir.

Analisti politik, Gani Qarri thotë se kjo është një lojë e pistë e politikës kosovare, e cila nuk e ka stimuluar dhe mbështetur drejtësinë që këto krime të ndiqen kaherë, që kriminelët të kapen dhe nxirren para drejtësisë, madje të kërkohet edhe kompensimi i dëmeve nga ana e shtetit serb.

Qarri kërkon nga qeveria në ardhje që pas marrjes së mandatit, të kërkojë edhe përgjegjësi penale për ata që kanë ndikuar deri më tani të mos ndiqen këto krime.

Image
Gani Qarri

“Fatkeqësisht dhe për habinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, vetëm pas dy dekadash u raportua se i pandehuri Nenad Arsiq i cili është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit është arrestuar me dyshimet se ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile më 21 maj të vitit 1999 në lagjen Emshir të Prishtinës. Kjo jo vetëm se nuk është aspak serioze por edhe tepër denigruese për gjithë shtetin e Kosovës, ndaj është koha e fundit që menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, kapësit e shtetit dhe politikanët e kriminalizuar të cilët shihet qartë se nuk janë asgjë më tepër, se sa dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, përfundimisht të vihen në bankën e të akuzuarve dhe japin përgjegjësi për lënien në harresë nga drejtësia e kapur kosovare të krimeve të luftës të shkaktuara qysh para 20 vitesh në Kosovë”,tha Qarri për “Kosova Sot Online” .

Sipas Qarrit, nuk ka më asnjë shpjegim se pse u desh të kalojnë hiq më pak se gati 12 vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe vetëm tash Prokuroria Speciale të kujtohet e fillojë me ndjekjen dhe kapjen e të akuzuarve dhe personave të dyshuar për krime të luftës në Kosovë, të cilët lirshëm kanë shëtitur gjithandej Kosovës.

“Sipas të gjitha gjasave, duket se ky proces është ruajtur qëllimisht për të bërë pikërisht tani pazare politike me Serbinë dhe me akuzat në pritje nga Gjykata Speciale për disa nga eksponentë e nivelit të lartë të ish UÇK-së, të cilët së fundmi edhe i kanë marr ftesat për intervistim. Për këtë arsye mu tani dhe vetëm para një apo dy ditësh u konfirmua se si nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë,gjoja filloi ndjekja e kriminelëve të luftës,u bë arrestimi dhe caktua masa e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Nenad Arsiq për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkautorësi me persona të tjerë, më 21 maj të vitit 1999,ka kryer krime të luftës kundër popullsisë civile të Kosovës, në lagjen Emshir të Prishtinës”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Përveç mos ndjekjes së kriminelëve, fatkeqësisht edhe dëmet e luftës u injoruan tërësisht nga udhëheqësit e kriminalizuar të vendit dhe për 20 vite me radhë, u lanë plotësisht në harresë si nga politika e inkriminuar ashtu edhe nga sistemi i drejtësisë tërësisht të dështuar dhe të dirigjuar e kontrolluar fund e krye, nga nëntoka kriminale”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)