Rasti i Astrit Deharit, vjen akuza e rëndë: Ja kush e mbanë përgjegjësinë kryesore...

  • 26 October 2019 - 07:40
Rasti i Astrit Deharit, vjen akuza e rëndë: Ja kush e mbanë përgjegjësinë kryesore...

“Përgjegjësia për vrasjen e Astrit Deharit është zinxhirore dhe vrasësi i Astrit Deharit mund të jetë kudo, nga qelia e burgut e deri tek majat e shtetit. Mirëpo, përgjegjësia kryesore bie mbi ata që kamufluan me rastin duke e trajtuar si "vetëvrasje" për mbulimin e gjurmëve të krimit siç patën vepruar me vrasjen e Dino Asanajt si "vetëvrasje" e therjes 11 herë me thikë! Pra, përgjegjësia për rastin e Astrit Deharit përveç se individuale është më e zgjeruar dhe institucionale”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa, duke u bazuar në raportin me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës lidhur me rastin e dhimbshëm të Astrit Deharit, thekson se ky raport e fuqizon akoma më shumë bindjen dhe dyshimin për instalimin e thellë të krimit të organizuar në kupolën e shtetit, sepse ky është kulmi.

Sipas tij, nuk ka më çka të zbardhet tjetër për të vërtetuar infiltrimin e mafies kriminale në të gjitha institucionet dhe shtyllat kryesore të shtetit, të cilat duhet urgjentisht të pastrohen përmes ligjit të VETTING-ut, sepse askund në botën demokratike dhe shtete me sundim të ligjit, nuk guxojnë dhe nuk ndodhin vrasjet nëpër burgje, sikur po vërtetohet të ketë ndodhur me rastin Dehari.

Image
Florim Zeqa

“Përderisa në të gjitha vendet e lira dhe demokratike, burgu konsiderohet vendi ku i dënuari është më i sigurt dhe më i mbrojtur prej ndikimeve nga jashtë, tek ne në Kosovë burgu është bërë vendi me shkallën e rrezikut më të lartë. Përgjegjësia për vrasjen e Astrit Deharit është zinxhirore dhe vrasësi i Astrit Deharit mund të jetë kudo, nga qelia e burgut e deri tek majat e shtetit. Mirëpo, përgjegjësia kryesore bie mbi ata që kamufluan me rastin duke e trajtuar si "vetëvrasje" për mbulimin e gjurmëve të krimit siç patën vepruar me vrasjen e Dino Asanajt si "vetëvrasje" e therjes 11 herë me thikë! Pra, përgjegjësia për rastin e Astrit Deharit përveç se individuale është më e zgjeruar dhe institucionale. Fajësia për vrasjen e Astrit Deharit fillon nga Burgu i Prizrenit e deri në majat e shtetit, gjegjësisht nga zinxhiri mbrojtës e komandues në burgun e Prizrenit e deri tek hierarkia e lartë shtetërore e tre viteve më parë kur ndodhi krimi”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, pa një Vetting gjithëpërfshirës, Kosova kurrë nuk do të ketë drejtësi të pa varur, siguri në trajtimin e qytetarëve gjatë procesit të mbajtjes nga organet dhe institucionet e sigurisë dhe të ngjashme.

“Rasti i dhimbshëm Dehari është dëshmi se krimi është instaluar kudo e kah do deri në kupolën e shtetit. Qeveria e re duhet të fillojë me urgjencë zbatimin e ligjit për VETTING-ut në të gjitha nivelet e institucioneve të sundimit të ligjit dhe atyre të sigurisë, për parandalimin e rasteve të tjera të "vetëvrasjeve" në burgjet e Kosovës”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, tani zbardhja deri në fund e këtij rasti, do të jetë akoma më e ndërlikuar, madje edhe për një ekspertizë akoma më të fuqishme, sikur është FBI-ja amerikane.

“Tani pas tre viteve, zbardhja e vrasjes së Astrit Deharit do të jetë sfidë për FBI amerikane, e lëre më për prokurorët tonë pa mbrojtur nga shteti. Mesazhi i kësaj situate është sa dëshpërues, po aq trishtues për brezin tonë të ri i cili edhe ashtu nuk po e sheh perspektivën në këtë shtet të brishtë e pa drejtësi të pa varur, por mbetet 24 orë me sy e vesh drejtuar për të ikur, braktisur vendin për shpresë e jetë më të mirë e më të sigurt jashtë vendit, ngase shteti i tyre, përveç se nuk ju ofron asnjë mundësi për jetë më të mirë, nuk ju garanton as siguri për jetë, pra, as në burg, aty ku siguria duhet të jetë maksimale”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)