Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Ja treshja kosovare që i fali krimet serbe

  • 26 October 2019 - 16:44
Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Ja treshja kosovare që i fali krimet serbe

“Deri më tash këtu kemi dështime të plota dhe përgjegjësit kryesor janë Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri, që kurrë nuk i kushtëzuan bisedimet me këto çështje. Në fushën e brendshme, gjykatat kurrë nuk u morën me këto krime, ndonëse në aspektin e kompetencave territoriale, kompetente janë organet e luftimit të krimit në Kosovë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Humbja e kohës për 20 vite të plota në liri, dhe afër 12 vite në shtet të pavarur, për të ndjekur dhe ndëshkuar krimet e luftës, sipas profesorit të njohur të së drejtës, Muhamet Kelmendi është pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë në drejtësi për interesa personale, qoftë të shantazhit apo përfitimit material, të të gjithë atyre që deri më tani qeverisën me vendin në shumicën e mandateve.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesor Kelmendi përgjegjës i bënë për këtë kryesisht dy partitë kryesore më të mëdha politike, që kanë bashkë qeverisur pas shpalljes së pavarësisë, dhe që kanë qenë edhe pjesë e përbashkët e dialogut me Serbinë, PDK-në dhe LDK-në.

“Kapja dhe dënimi i krimineleve serb të luftës së fundit në Kosovë, ka dështuar tërësisht. Vetë fakti se iu ka lënë kriminelëve të Beogradit që të merren me këtë është një dështim dhe mbajtje e krimit në fuqi. Kosovës dhe populli shqiptar iu ka bërë, në vitet e pushtimit të egër nga Serbia, një gjenocid i madh dhe në përmasa të gjera, si në njerëz, si në pasuri, dhe në kuadër të krimit më të rëndë, sikundër është përdhunimi i mijëra femrave shqiptare”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi thekson se loja me lënien në harresë, respektivisht tentativën për falje të krimeve dhe dëmeve të luftës që kapin miliarda euro, është kurdisur gjatë procesit të gjatë të bisedimeve me Serbinë.

“Në Kosovë kemi mbi 150 mijë objekte të regjistruara, të shkatërruara nga kriminelët gjenocidian. Dëmet shkojnë deri në 30 miliardë Euro. Kemi dëme edhe te karakterit moral etj. Mbi 20 mijë femra janë të përdhunuara dhe mbi 1 milionë njerëz që janë dëbuar nga vendi. Plaçkitjet shkojnë në 3-4 miliardë euro. Të gjitha këto tregojnë nivelin e një krimi të karakterit gjenocidal të kryer nga regjimi fashizoid i Beogradit, në përmasa ekstreme shkatërrimtare vetëm ndaj shqiptarëve. E mu kjo është dashur të kapet dhe të bëhet temë mbi temat në bisedimet në raport me shtetin serb. Deri më tash këtu kemi dështime të plota dhe përgjegjësit kryesor janë Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri, që kurrë nuk i kushtëzuan bisedimet me këto çështje”, shtoi Kelmendi.

“Në fushën e brendshme, gjykatat kurrë nuk u morën me këto krime, ndonëse në aspektin e kompetencave territoriale, kompetente janë organet e luftimit të krimit në Kosovë. Është papërgjegjësi totale e çdo qeverie në Kosove pse nuk i kanë luftuar dhe marr në përgjegjësi mbi dy decenie, edhe tash e 12 vjet pas shpalljes së shtetit të pavarur kriminelët dhe krimet e luftës. Ky është turp i pa presedan. Në fakt këta nuk e meritojnë të jenë në qeveri dhe ndoshta të përgjigjen pse toleruan këtë. E ku ka gjë më rëndë se sa të jenë akoma edhe 1667 shqiptar të varrosur nëpër Serbi, në varre masive, dhe mos të gjinden. Kjo nuk donë fare koment. Është çështje e papërgjegjësisë dhe e veprës së rëndë penale”, përfundoi profesor, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)