Rusia e quan banditizëm vendimin e ShBA-së për t’i kthyer trupat në Siri

  • 27 October 2019 - 08:58
Rusia e quan banditizëm vendimin e ShBA-së për t’i kthyer trupat në Siri

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka kritikuar ashpër vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dërguar trupa ushtarake dhe automjete të blinduara në pjesën lindore të Sirisë për t’i mbrojtur fushat e naftës, duke e quajtur atë “banditizëm”.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Igor Konashenkov, tha: “Ajo që Uashingtoni është duke e bërë tash, grabitja dhe marrja e kontrollit të fushave të naftës në Sirinë lindore nuk i përket terroristëve të ISIS-it dhe aq më pak mbrojtësve amerikanë kundër terroristëve të ISIS-it, por ekskluzivisht Republikës Arabe Siriane”.

“Shkaku i vërtetë i këtij aksioni ilegal nga Shtetet e Bashkuara në Siri shkon shumë përtej idealeve që Uashingtoni i ka shpallur dhe përtej parullave për luftën kundër terrorizmit”, shtoi ky zëdhënës.

Për më tepër, kjo ministri njoftoi se ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka biseduar në telefon me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ku kanë diskutuar për çështjen e Sirisë. “E kemi theksuar nevojën për përmbajtje nga hapat që e rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, pasi dha urdhër për largimin e trupave amerikane nga brezi kufitar mes Sirisë dhe Turqisë, presidenti Trump tha se do t’i lërë rreth 300 trupa në pjesën jugore të Sirisë, ndërsa sekretari i mbrojtjes, Mark Esper, më vonë tha se disa trupa do të dërgohen edhe në juglindje të Sirisë për t’i mbrojtur fushat e naftës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)