Rusia reagon me rezerva, kërkon të dëshmohet vrasja e al-Baghdadit

  • 28 October 2019 - 13:49
Rusia reagon me rezerva, kërkon të dëshmohet vrasja e al-Baghdadit

Kremlini tha të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump, do ta ketë bërë një kontribut të madh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, nëse është e vërtetë deklarata e Shteteve të Bashkuara se lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë.

Presidenti amerikan njoftoi të dielën se Baghdadi e ka vrarë vetën gjatë një operacioni që u krye natën nga forcat speciale amerikane në Siri dhe i falënderoi Rusinë dhe disa shtete të tjera për përkrahjen e tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi të përgjigjet në pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara e kanë informuar Rusinë paraprakisht për këtë operacion dhe nuk dha hollësi të tjera.

Megjithatë, ai tha para gazetarëve se ushtria ruse i ka vërejtur aeroplanët dhe dronët amerikanë në zonën ku Uashingtoni tha se është kryer operacioni.

“Nëse të dhënat janë të vërtetuara, mund të flasim për një kontribut serioz të presidentit të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, tha Peskov.

Sidoqoftë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë hodhi dyshime për deklaratën e Shteteve të Bashkuara, duke thënë përmes një deklarate se nuk ka ndonjë të dhënë të besueshme për operacionin amerikan dhe i përmendi katër arsye pse versioni amerikan i ngjarjeve duket i dyshimtë.

“Rritja e numrit të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në operacion dhe shtetet që besohet se morën pjesë në të, secila me hollësi tërësisht kundërthënëse, shtron pyetje dhe dyshime për atë se a ka ndodhur ky operacion dhe veçanërisht se sa i suksesshëm ka qenë”, tha ministria ruse.

Ndryshe nga Kremlini, kjo qeveri nuk e vlerësoi shumë rëndësinë e Baghdadit, duke thënë se, nëse vdekja e tij vërtetohet, ajo nuk do të kishte rëndësi operacionale në situatën në Siri apo për aksionet e militantëve të mbetur në rajonin sirian të Idlibit, shkruan “The Moscow Times”.

(Kosova Sot Online)