Parashikimi i frikshëm për Kosovën: Ja skenari i ndarjes, Ujmani dhe Trepça...

  • 29 October 2019 - 07:46
Parashikimi i frikshëm për Kosovën: Ja skenari i ndarjes, Ujmani dhe Trepça...

“Faktori ndërkombëtar, pas deklarimeve të Beogradit dhe të Thaçit, sikundër edhe të Edi Ramës, nuk po e përjashtojnë asnjë opsion për marrëveshje. Kristofer Hill është diplomati i radhës që e përmendi këtë dhe nuk e vuri në gozhdë ruajtjen e tërësive territoriale, në llogari të saj. Me këtë de fakto dhe de jure është futur si opsion ndarja dhe nderi i territoreve. Në fakt kështu edhe do të veprohet”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i njohur i së drejtës, Muhamet Kelmendi, duke i përcjell punimet e Samitin e paqes të Evropës Juglindore, dhe deklarimin e diplomatit amerikan, ish ambasadorit të SHBA-ve Christopher Hill, i cili nuk është shprehur kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes për shkak të ndjeshmërisë dhe rrezikut që paraqet, thotë se ngadalë por sigurt, po shihet efekti i investimit të Hashim Thaçit me vite të tëra për realizimin e projektit të ndarjes, së bashku me homologun e tij, Aleksandër Vuçiq, prandaj rifillimi i bisedimeve me Serbinë nga qeveria e re, do të jetë një proces i rëndë dhe me shumë rreziqe për vendin që përsëri mundë të qon në opsionin e ndarjes.

Image
Muhamet Kelmendi

“Faktori ndërkombëtar, pas deklarimeve të Beogradit dhe të Thaçit, sikundër edhe të Edi Ramës, nuk po e përjashtojnë asnjë opsion për marrëveshje. Kristofer Hill është diplomati i radhës që e përmendi këtë dhe nuk e vuri në gozhdë ruajtjen e tërësive territoriale, në llogari të saj. Me këtë de fakto dhe de jure është futur si opsion ndarja dhe nderi i territoreve. Në fakt kështu edhe do të veprohet”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, fakti që tani po përmendet fillimi i zbatimit të reciprocitetit të plotë, tërthorazi po mendohet në ndarje, që sipas tij bije masa reciproke, një për një, ndërrim me ndërrim.

“Me reciprocitet do të futet edhe shkëmbimi i territoreve. Kjo është pjesë e reciprocitetit. Sepse kjo do të nënkupton atë që unë japi territor me përkatësi serbe dhe marr territor me përkatësi shqiptare. Edhe kjo nënkupton reciprocitetin, prandaj, nga qeveria e re, varet shumë se a do ta ruajnë tërësinë territoriale apo jo”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Pikërisht hapja e kësaj teme, sipas Kelmendit e çon drejtimin e kërkesave drejtë sundimit serb edhe për marrjen e Ujmanit, si pako e procesit të kompromisit me ndërrim territoresh.

“E kjo një ditë do të shihet, sepse është e rëndë dhe e vështirë ruajtja e tërësisë territoriale. Dhe po që se futet kjo me reciprocitet, menjëherë do të hapet tema e Ujmanit, e Mitrovicës, e Trepçës, e shumë komunave të organizuara serbe, e Asociacionit etj. Me këtë reciprocitet territorial do të zhduket uniteti i shtetit të Kosovës, prandaj në këtë drejtim duhet pasur shumë kujdes”, tha profesori Kelmendi.

Formula e reciprocitetit me Serbinë, sipas Kelmendit mundë të fillojë të zbatohet vetëm pasi të dyja palët, Kosova dhe Serbia patohen të njihen mes vete si shtete të pa varura në kufij ekzistues, e pastaj çështjet tjera zgjidhen me reciprocitet për interesin e përbashkët.

“Po reciprocitet duhet të ketë, por jo pa u njohur fillimisht si shtet. Fillimisht duhet të kemi njohje reciproke dhe vetëm pastaj të kalohet te reciprociteti për çështje të minoriteteve, duke kërkuar të drejta të njëjta, si dhe çështjet vitale tjera të Kosovës. Këtu e kam fjalën për dëmet e luftës, për kapjen e kriminelëve që kryen gjenocide dhe përdhunuan femrat shqiptare, për dëbimet masive që i kryen dhe për gjetjen e 1667 vetave nga Kosova të varrosur në Serbi. Këto nuk mund të lihen anash. Nuk mund të lihen anash vjedhjet e pensioneve si dhe shumë çështje tjera”, theksoi profesori i njohur, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Përndryshe, sipas Kelmendit, nuk mundet kurrsesi të ecet në asnjë lloj marrëveshjeje pa adresimin dhe pa pranimin e këtyre përgjegjësive të shtetit serb që lidhen me krimin dhe gjenocidin.

(Kosova Sot Online)