Daka se pret Gjykatën Supreme shkon te Thaçi për t’a diskutuar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve

  • 29 October 2019 - 13:30
Daka se pret Gjykatën Supreme shkon te Thaçi për t’a diskutuar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve

President i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka janë takuar sot lidhur me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Presidenca ka njoftuar se Daka e ka njoftuar Thaçin për hapat për përmbylljen e procesit të numërimit të votave dhe certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme.

“Presidenti Thaçi ka vlerësuar Kryetaren Daka për punën, integritetin dhe profesionalizmin e KQZ-së në menaxhimin e procesit të përgjithshëm electoral”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij varet tashmë nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Bëhet fjalë për një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor. 

Kjo ankesë fillimisht ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. Më pas Vetëvendosje e kishte deponuar të njëjtën kërkesë edhe në Gjykatën Supreme, e cila vendosi pro ankesës së Vetëvendosjes dhe përmes një aktgjykimi e riktheu lëndën në PZAP.

Kurse PZAP edhe kësaj radhe lëndën e ka refuzuar si të pabazuar. Në një komunikatë për media, PZAP thotë se “pala mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit ligjor prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit. Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendosë lidhur me ankesën brenda afatit prej 72 orëve”.

(Kosova Sot Online)