Senatorja franceze që thotë se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, takohet me Thaçin në Prishtinë

  • 31 October 2019 - 14:06
Senatorja franceze që thotë se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, takohet me Thaçin në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në zyrën e tij sot ka pritur senatoren franceze, Helen Conway-Mouret, një mbështetese të Kosovës. Senatorja Conway-Mouret mendon se kosovarët duhet të lëvizin lirshëm pa viza sikur të gjitha shtetet tjera, dhe nuk pajtohet me faktin që shteti francez nuk ka kurajo ta përkrahë Kosovë në çështjen e marrjes së liberalizimit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në presidencë senatoren franceze, Helen Conway-Mouret, më të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Në këtë takim është diskutuar lidhur me procesin zgjedhor të 6 tetorit, dhe Thaçi ka thënë se tashmë po e pret krijimin e qeverisë së re.

“Kosova ka një demokraci të avancuar”, është shprehur kreu i shtetit, duke shtuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pret që shpejt të formohet qeveria që do të shtyjë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.

Tutje ai ka thënë se Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor pret përkrahje më konkrete nga BE-ja, duke i rikujtuar senatores franceze se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

“Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe pret vendim meritor nga BE dhe shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Thaçi.

Siç thekson komunikata e lëshuar nga presidenca, senatorja Conway-Mouret u shpreh se Franca përkrah perspektivën evropiane të Kosovës dhe të tërë Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa presidenti Thaçi në fund kishte potencuar se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç se të vazhdojë të angazhohet për të realizuar aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së.

Ndryshe nga shteti Franez i cili konsideron se Republika e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave,  senatorja Conway-Mouret mbështet aspiratën e kosovarëve për të lëvizur pa viza nëpër Zonën Schengen. 

Ajo më 25 prill të këtij viti i kishte drejtuar një pyetje ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian, për të kërkuar qëndrimin e Parisit zyrtar rreth asaj nëse Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave.

Megjithatë nga përgjigja që kishte marrë 16 maj nga ministri francez, Conway-Mouret , ishte ndjerë  keq për shkak të mungesës së ambicies dhe guximit nga ana e shtetit francez lidhur me liberalizimin e vizave për kosovarët.

Përgjigjet Conway-Mouret i kishte publikuar në ueb-faqen e saj zyrtare si senatore. Në të njëjtën kohë ajo kishte shprehur zhgënjimin e saj se si nuk ka kurrfarë garancie që do të merren parasysh siç i ka quajtur ajo “pritjet legjitime të një populli i cili është trajtuar në mënyrë të pabarabartë krahasuar me shtetet tjera të Ballkanit.

“Më vjen keq për mungesën e ambicies dhe guximit nga ana e Shtetit Francez në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në përgjigjen e dhënë nga Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme në pyetjen time, nuk ka asnjë element sigurues për të marrë parasysh pritjet e ligjshme të një popullsie të trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit Perëndimor”, kishte shkruar Conway-Mouret e zhgënjyer me përgjigjen që kishte marrë.

Megjithatë edhe pas pesë muajve qëndrimi i Francës sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka mbetur i njëjtë, Dy ditë më parë burime diplomatike në Paris e kanë konfirmuar se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa i plotësuar kushtet për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

(Kosova Sot Online)