Dresdeni i Gjermanisë shpall gjendje emergjente kundër nazizmit

  • 02 November 2019 - 14:45
Dresdeni i Gjermanisë shpall gjendje emergjente kundër nazizmit

Dresdeni, një qytet në lindje të Gjermanisë, e ka shpallur gjendjen emergjente kundër nazizmit, duke thënë se e ka një problem serioz me të djathtën ekstreme.

Kryeqyteti i rajonit të Saksonisë për një kohë të gjatë është cilësuar si bastion i së djathtës ekstreme dhe ai është vendlindje e lëvizjes anti-islame, Pegida.

Anëtarët e këshillit lokal të qytetit që është në garë për Kryeqytetin Evropian të Kulturës për vitin 2025 tashmë e kanë miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohen më shumë masa për ta luftuar këtë problem.

Njëri nga anëtarët e këshillit lokal, Max Aschenbach, tha: “Gjendja emergjente kundër nazizmit është e ngjashme me emergjencën kundër klimës, që nënkuptohet se ekziston një problem serioz. Shoqëria e hapur demokratike është e kërcënuar”.

Ai tha se beson që miratimi i kësaj rezolute ishte i nevojshëm për shkak se politikanët nuk ishin duke bërë sa duhet për ta pozicionuar veten në mënyrë të qartë kundër të djathtës ekstreme.

Në këtë rezolutë thuhet se qëndrimet dhe veprimet ekstreme të së djathtës janë duke u shfaqur gjithnjë e më shpesh dhe bëhet thirrje që autoritetet lokale të ofrojnë ndihmë për viktimat e dhunës së këtij krahu, që t’i mbrojnë pakicat dhe të kundërshtohet fuqishëm nazizmi, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)