Alarmohet Kosova: Kjo është kupola e krimit, po lëkunden themelet e shtetit

  • 03 nëntor 2019 - 07:49
Alarmohet Kosova: Kjo është kupola e krimit, po lëkunden themelet e shtetit

“Sistemin e drejtësisë së Kosovës nuk mundemi dhe nuk duhet ta quajmë më sistemi të drejtësisë por sistem të “dreqësisë”, pra të djallit, dhe për këtë jo rastësisht po kërkojmë që të fillon të zbatohet Vetting-u si një proces që vazhdimisht duhet të ndodh dhe ta pastron e mbikëqyrë sistemin e drejtësisë së kalbur kosovare”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit politik, Ragip Guraziu të gjitha ndryshimet që duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë së Kosovës, duhet të niset nga kupola e mbikëqyrjes së sistemit, nga KGJK-ja dhe KPK-ja.

Guraziu tha për “Kosova Sot Online” se do të duhej që urgjentisht të ndërrohen të gjithë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pasi që për vite të tëra janë dëshmuar se janë servil të politikës së inkriminuar, dhe të tillët as nuk mundë të riedukohen dhe as të ndryshojnë në qëndrimet e tyre, karshi degradimit që i kanë sjellë drejtësisë në Kosovë.

Image
Ragip Guraziu

“Sistemin e drejtësisë së Kosovës nuk mundemi dhe nuk duhet ta quajmë më sistemi të drejtësisë por sistem të “dreqësisë”, pra të djallit, dhe për këtë jo rastësisht po kërkojmë që të fillon të zbatohet Vetting-u si një proces që vazhdimisht duhet të ndodh dhe ta pastron e mbikëqyrë sistemin e drejtësisë së kalbur kosovare”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Përveç shërbimit besnik që i ka bërë interesit kriminal të politikës, sipas analistit Guraziu drejtësia, gjyqësori dhe prokuroria e Kosovës nuk kanë sjell asgjë të mirë për luftimin e krimit dhe të korrupsionit që po i rrezikojnë edhe themelet e shtetit.

“Me vite të tëra sistemi i drejtësisë ka dëshmuar se ka qenë vetëm një garniturë njerëzish servil të politikës së inkriminuar, dhe për këto vite të pas luftës nuk po mund të funksionon si duhet, rehatohet asnjë institucion, kudo kemi afera alarmuese dhe askush nuk vepron, nuk kemi ndëshkime as nuk kemi burgosje për milionat që i zhvaten shtetit. Kemi aktrime të organeve të drejtësisë dhe ndjekjes për disa sekonda para kamerave dhe më pastaj gjithçka përfundon në marrëveshje me nëntokën kriminale”, tha analisti Guraziu për “Kosova Sot Online”. 

Prandaj, sipas tij, përgjegjësia për këtë lidhje të fuqishme të drejtësisë me krimin, është pikërisht në shtëpinë e madhe në KGJK, institucion i cili duhet të goditet duke i larguar të gjithë ata që nuk e kanë vendin aty.

“Prandaj tani është më se e domosdoshme që urgjentisht të ndërrohen të gjithë, të largohen të inkriminuarit që janë instaluar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pasi që për vite te tëra janë dëshmuar se nuk janë gjë tjetër veç servile të politikë së inkriminuar. Duke filluar nga kjo kupolë, urgjentisht duhet të bëhet pastrimi i të gjitha institucioneve të drejtësisë, për të vazhduar edhe me të gjitha institucionet e tjera”, theksoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse është investuar shumë nga ndërkombëtarët në këtë sistem, sipas Guraziut ndikimi i politikës e ka ngulfatur atë dhe nuk e ka lejuar të zhvillohet, të profesionalizohet dhe të merr modelin e funksionimit të drejtësisë në vendet e zhvilluara evropiane.

“Institucionet e Kosovës, sidomos mekanizmat e drejtësisë, për vite me radhë janë ndihmuar e mbështetur nga mekanizma të drejtësisë ndërkombëtare, por nuk kanë arritur të bëhen efikas sipas modeleve të ofruara. Fillimisht ishte ndihma nga UNMIK-u e më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, që janë ndihmuar këto institucione për procese të caktuara të ndërtimit dhe të edukimit, e sidomos në forcimin e zbatimit të ligjit, mirëpo politika e inkriminuar ka shikuar vetëm interesin e vetë dhe nuk ka lejuar asnjëherë ngritjen dhe fuqizimin e tyre sikur që parashihet me ligjet dhe me kushtetutën. Prandaj është koha për rishikim, për ndryshim dhe pastrim të plotë të këtyre institucioneve ligj zbatuese, duke filluar nga KGJK-ja dhe nga KPK-ja, për të kaluar në nivel të të gjitha gjykatave dhe të prokurorive”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)