Corbyn thotë se ushqimi amerikan ka krimba e qime minjsh

  • 05 November 2019 - 13:51
Corbyn thotë se ushqimi amerikan ka krimba e qime minjsh

Kryetari i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, e cila ndodhet në opozitë, Jeremy Corbyn, ka thënë se ushqimi i importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i përzier me qime minjsh e krimba dhe e ka akuzuar kryeministrin Johnson se po synon të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me presidentin amerikan sikur të ishte likuidim i mallit.

Në një eskalim dramatik të retorikës, lideri opozitar gjithashtu tha se kryeministri britanik është duke u përpjekur ta rrëmbejë Brexit-in në duart e veta në mënyrë që t’i ulë standardet për marrëveshje tregtare.

Këto komente ai i bëri gjatë një fjalimi në Harlow. Ky tubim po vlerësohet si nisje e fushatës për zgjedhjet e muajit dhjetor.

“Nëse ua japim mundësinë, ata do t’u japin fund të drejtave tona në punë dhe pushimeve tona për festa. Nëse ua japim mundësinë, ata do t’i ulin standardet e ushqimit në nivelin amerikan, ku pranohen qimet e minjve në speca dhe krimbat në lëngun e portokallit. Ata do të sjellin pula të klorizuara në dyqanet tona”, tha kreu i laburistëve.

Ai gjithashtu paralajmëroi se, nëse Partia Konservatore i fiton zgjedhjet, ajo do t’i dobësojë rregullat për mbrojtjen e mjedisit dhe të ndotjes së ajrit.

Sidoqoftë, konservatorët vazhdimisht i kanë mohuar raportimet se do të ulen standardet për cilësinë e ushqimit pasi Britania të largohet nga Bashkimi Evropian, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)