Eksperti i njohur alarmon rëndë Kosovën, ‘godet’ politikanët 

  • 07 November 2019 - 20:16
Eksperti i njohur alarmon rëndë Kosovën, ‘godet’ politikanët 

“Nuk ka rrugë tjetër përveç se një reformë dhe një ndëshkim dhe për një pastrim të madh për sistemin, për tërë sistemin si atë qeverisës, politik, shoqëror dhe sidomos të drejtësisë”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

 

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur vonesat e pakufishme në zgjidhjen e lëndëve të ndryshme që janë duke mrizuar në institucionet e drejtësisë kosovare, e ku si konstatim del se sistemit gjyqësor do t’i duhet më shumë se një shekull që të përfundojë të gjitha lëndët e pazgjidhura civile. E lidhur me këtë, ka reaguar eksperti i së drejtës, Skënder Kapiti, sipas të cilit kjo e dhënë, flet shumë qartë për nivelin e dështimit të këtij sistemi, një nivel i ulët që ka përbuzur edhe mbështetjen deritanishme nga BE dhe SHBA-të.

Image
Skender Kapiti

Sipas Kapitit, është e pafalshme për një shtet të pavarur, siç është Kosova, që të ketë deficit kaq alarmant në sistemin e drejtësisë. 

“Kosova tashme si shtet i pavarur deficitin më të madh dhe kryesor e ka në sistemin e drejtësinë, e cila është shtylla kryesore e ngrehinës së shtetit. Kur nuk funksionon mirë dhe ligjërisht drejtësia, atëherë edhe vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit janë nën kërcënim serioz. Evropa dhe SHBA tani më kërkojnë atë që dihet mirë nga i gjithë publiku, se detyra kryesore demokratike dhe ligjore që duhet ta kryej politika kosovare është ndërtimi dhe vënia në funksionim të ligjit dhe të drejtësisë, është lufta kundër krimit të organizuar dhe ajo kundër korrupsionit. Dhe të dyja këto: si luftën kundër krimit të organizuar dhe atë kundër korrupsionin behën të mundura vetëm nëse dekriminalizohet dhe pastrohet sistemi i drejtësisë dhe politika”, ka thënë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është e papranueshme dhe turp i madh kombëtar por edhe turp për politiken dhe për politikanët kosovarë, ku për shkak të tyre Kosova ka mjerisht këtë gjendje në sistemin e drejtësisë. 

“Është e pa justifikueshme para aleatit të madh të shqiptarëve SHBA-ve dhe të atyre shteteve të tjera të BE-së të cilat investuan dhe kontribuuan aq shumë për lirinë, pavarësinë dhe për shtetësinë e Kosovës, pra janë të rënda dhe dëshpërim i paimagjinueshme sjellja, krimi, korrupsioni, hajdutëria, anti ligji dhe anti shteti i mafio oligarkisë politike që kanë kapur shtetin e Kosovës. Prandaj nuk ka rruge tjetër përveç se një reformë dhe një ndëshkim dhe për një pastrim të madh për sistemin, për tërë sistemin si atë qeverisës, politik, shoqëror dhe sidomos të drejtësisë. Pra duhet një VETTING gjithëpërfshirës”, tha  Skënder Kapiti për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)