Zbardhja e vrasjeve politike, vjen lajmi i keq për koalicionin VV-LDK

  • 08 November 2019 - 07:47
Zbardhja e vrasjeve politike, vjen lajmi i keq për koalicionin VV-LDK

“Si pasojë e neglizhencës së strukturave drejtuese të LDK-së në zbardhjen e vrasjeve të pas luftës, shpresat e familjarëve të viktimave janë kthyer në iluzione. Të vetmet shpresa i kanë përqendruar tek Gjykata Speciale. Mirëpo enigmën e vrasjeve politike nuk do ta zgjidhë as Gjykata Speciale, për shkak se fatkeqësisht kjo gjykatë ka mandat tjetër, e jo zbardhjen dhe gjykimin e vrasjeve politike”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike ta pasluftës në Kosovë, konsiderojnë se për qeverinë e re në ardhje, çështja e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë, është dukuria më e dhimbshme dhe plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare, të cilën nuk e zgjidhi drejtësia për këto dy dekada.

Sipas analistit politik, Florim Zeqa, ky peng i pa zgjidhur për dy dekada, është pasojë e ndikimit të politikës në drejtësi, prandaj vetëm drejtësia e pavarur vendore mund t'i qetësojë dhimbjet shpirtërore të familjarëve, duke u angazhuar në zbardhjen dhe ndëshkimin e tyre.

E për të arritur këtë qëllim, ai thotë se edhe bashkëpunimi i familjarëve me prokurorinë, për të identifikuar kriminelët dhe ofruar faktet, duhet të jetë shumë i sinqertë dhe i pa kursyer.

Image
Florim Zeqa

“Qeveria në ardhje është ajo që duhet të fuqizojë sistemin e drejtësisë me polici hetimore dhe prokurorë të pavarur dhe të guximshëm dhe jo vetëm kaq. Qeveria e re duhet të motivojë familjarët e të vrarëve dhe qytetarët që të jenë më aktiv në ngritjen e aktakuzave aty ku i kanë dyshimet e bazuara me argumente dhe dëshmitarë të gjallë, që kanë dëgjuar ose parë ndonjë element të dyshimtë që lidhet me vrasjet enigmatike. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodhë, nuk ka prokurorë që ngritë aktakuzë në emrin e tij personal pa fakte të ofruara nga familjarët”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sa i përket qeverisë së re në ardhje, përkatësisht koalicionit LVV-LDK, sipas analistit Zeqa, mbetet fare pak shpresë që të lëvizë diçka pozitive në atë drejtim, sepse ata, LVV-ja, që e kanë guximin, do të angazhohen për zbardhjen e vrasjes së aktivistëve të tyre, siç është rasti i Astrit Deharit, ndërsa ata të LDK-së që e kanë për obligim zbardhjen e vrasjeve të kolegëve dhe bashkëpartiakëve të tyre, do të heshtin siç kanë heshtur deri më sot, ani pse disa herë e kishin në dorën e tyre sistemin e drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Prandaj, analisti Zeqa ka rrezik që kjo enigmë e këtyre vrasjeve të mbetet e paprekur edhe nga Gjykata Speciale, sado që familjarët e viktimave i kanë shpresat tek kjo gjykatë.

“Si pasojë e neglizhencës së strukturave drejtuese të LDK-së në zbardhjen e vrasjeve të pas luftës, shpresat e familjarëve të viktimave janë kthyer në iluzione. Të vetmet shpresa i kanë përqendruar tek Gjykata Speciale. Mirëpo enigmën e vrasjeve politike nuk do ta zgjidhë as Gjykata Speciale, për shkak se fatkeqësisht kjo gjykatë ka mandat tjetër, e jo zbardhjen dhe gjykimin e vrasjeve politike", përfundoi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)