Udhëtimi i pazakontë dhe ‘zhdukja’ në Washington, çfarë po ndodhë me Hashim Thaçin?

  • 08 November 2019 - 16:35
Udhëtimi i pazakontë dhe ‘zhdukja’ në Washington, çfarë po ndodhë me Hashim Thaçin?

Vizitat e liderëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë përbëjnë lajm, marrë parasysh raportet e mira ndërmjet Prishtinës dhe Washingtonit, dhe sidomos situatën aktuale politike pas përfshirjes së administratës amerikane në fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Krerët e shtetit njoftojnë me komunikata për shtyp se do të udhëtojnë në SHBA, e vizitat e ndryshme e takimet atje i publikojnë me mjaft entuziazëm në rrjete sociale.

Kështu ka vepruar edhe zyra për media e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e cila ka njoftuar më 4 nëntor për vizitën dy ditore private të presidentit në SHBA, megjithatë as vetë Thaçi e as zyra e tij nuk kanë ndarë kurrfarë njoftimi apo fotografie për këtë vizitë e takime me komunitetin shqiptaro-amerikan atje, edhe përkundër faktit që kanë kaluar 4 ditë nga udhëtimi.

Në komunikatën për media ishte thënë se do të jetë një vizitë private e kreut të shtetit, ku do të takonte pjesë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për një vizitë private dy ditore në SHBA. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, presidenti Thaçi do të takojë miqtë shqiptaro-amerikan”, thuhej në komunikatën e dërguar nga presidenca. 

Në faqen zyrtare të presidentit para udhëtimit në SHBA më 3 nëntor është publikuar një shkrim në përkujtim të veprimtarit shqiptar, Anton Çetta, ndërkohë postimi i fundit është reagimi për ftesën që Gjykata Speciale ia ka bërë ish-bashkë partiakut të Thaçit, Kadri Veselit.

Në një interval kohor prej gjashtë ditësh, presidenti nuk ka publikuar asgjë në faqen e tij zyrtare në ‘facebook’, periudhë kjo gjatë së cilës është thënë se Thaçi do të jetë në SHBA.

Nuk dihet ende pse presidenti Thaçi ka vendosur të mos ndaj asgjë nga takimet e tij me shqiptarë atje.

Kundërshtari i tij politik, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, sa herë që shkonte në SHBA e takonte komunitetin shqiptaro-amerikan atje, përveç njoftimeve zyrtare për media, publikonte edhe fotografi në profilin e tij zyrtar në ‘facebook’.

(Kosova Sot Online)