Kërkesa për Qeverinë e re: Ja dy ligjet për luftimin e kupolës së krimit në Kosovë

  • 09 November 2019 - 15:49
Kërkesa për Qeverinë e re: Ja dy ligjet për luftimin e kupolës së krimit në Kosovë

“Në kushtet kur vetë drejtësia është problemi, pra kur vetë sistemi është i kriminalizuar, i korruptuar dhe që ka bërë hatanë me vjedhjen e grabitjen e pasurive të shtetit, të qytetarëve dhe të parasë publike, nga një drejtësi e tillë nuk pritet as hetimi, as gjetja dhe as konfiskimi i pasurive dhe i parasë së vetes së tyre, pasi ata janë hajdutët, vjedhësit por edhe fshehësit profesionistë të presë së grabitur nga ata”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

 

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit, konsiderojnë se barra më e rëndë për qeverinë e re në ardhje, do të jetë fuqizimi i sundimit të ligjit, pastrimi i drejtësisë nga krimi dhe korrupsioni. 

Për ta arritur këtë objektiv, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se duhet bërë paralel të dyja ligjet që trajtojnë këtë fushë, Ligji anti-mafia dhe ligji Vetting. Nëpërmes ligjit të parë, anti-mafia të duhej të zbardhen se si i dërguan pushtetarët e Kosovës, qindra miliona euro në parajsa fiskale  si në Panama, Maltë, Ishujt British Virgin, por edhe në Dubai, Zvicër e shumë destinacione të tjera. 

Ky ligj do të kishte peshën e vetë serioze, pasi që prokuroria edhe pse afro 12 vite jemi shtet i pavarur, as që ka nisur edhe një hetim të vetëm, e lere më të gris aktakuzë për pasuritë e pushtetarëve që për 20 vite janë në skenën politike, që kanë krijuar pronat e tyre qindra milionëshe, kompanitë e ndërtimeve të pushtetarëve dhe vëllezërve të tyre në krejt Kosovën, e sidomos në Prishtinë.

Image
Skender Kapiti

Eksperti i së drejtës, Skënder Kapiti thotë se strukturave të krimit iu pengojnë të dyja këto ligje, por shpreson se nga qeveria e re do të bëhen, edhe njëri edhe tjetri, për tu pastruar politika dhe drejtësia nga krimi i organizuar.

“Mafia e pushtetit nuk ka dëshirë dhe nuk ndërton dhe as nuk miraton ligjin Anti -Mafia, por edhe nëse miratohet sa për maskë mashtrimi publik e demokratik, ai ligj do të jetë formal dhe i pa zbatueshëm përderisa, dhe derisa, mafia të ketë pushtetin. Në kushtet kur vetë drejtësia është problemi, pra kur vetë sistemi është i kriminalizuar, i korruptuar dhe që ka bërë hatanë me vjedhjen e grabitjen e pasurive të shtetit, të qytetarëve dhe të parasë publike, nga një drejtësi e tillë nuk pritet as hetimi, as gjetja dhe as konfiskimi i pasurive dhe i parasë së vetes së tyre, pasi ata janë hajdutët, vjedhësit por edhe fshehësit profesionistë të presë së grabitur nga ata”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”. 

Prandaj sipas tij, pa Ligjin Vetting, nuk jep rezultate vetëm ligji anti-mafila. 

“Pra këtyre u duhet bërë hetimi së pari për pasuritë e tyre, pra gjyqtarëve, prokurorëve dhe pushtetarëve dhe politikanëve. Dhe këtë e bën vetëm një ligj VETTING-u si ai në Shqipëri”, tha njohësi i fushës së të drejtës, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)