Vrasjet politike, ky është paralajmërimi i rëndë për Vetëvendosjen dhe LDK-në

  • 10 November 2019 - 07:50
Vrasjet politike, ky është paralajmërimi i rëndë për Vetëvendosjen dhe LDK-në

“Sa i përket vrasjeve politike edhe pse kanë kaluar 20 vite, këto vrasje nuk guxojnë që të konsiderohen si të vjetruara, pasi për gjithë këto vite mos zbardhja e tyre, ka qenë dështimi më i madh i shoqërisë tonë për ta ndëshkuar krimin dhe kriminelët dhe për të vendosur një shtet të se drejtës ku sundon rendi dhe ligji”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë të cilët e kanë përcjellë me kujdes fushatën zgjedhore të LVV-së e LDK-së, dhe premtimet e këtyre dy subjekteve politike për sundimin e ligjit, theksojnë se zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës, duhet të jetë nota kryesore e vlerësimit të sistemit të drejtësisë, të cilin do ta ndërtojë qeveria re e Kosovës.

Këtë veprim e pret të jetë i konkretizuar, analisti politik Nexhat Haziri, sipas të cilit nuk mundë të arsyetohet dështimi eventual në këtë segment të veprimit apo mos veprimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Testi i funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe premtimi i partisë fituese, në këtë rast VV-së, por edhe i LDK-së si partner i qeverisë në ardhje, për reforma në drejtësi, do të jenë pikërisht zbardhja e vrasjeve politike dhe ndriçimi i rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit në burg, çështje këto që duhet të marrin epilogun e tyre. Sa i përket vrasjeve politike edhe pse kanë kaluar 20 vite, këto vrasje nuk guxojnë që të konsiderohen si të vjetruara, pasi për gjithë këto vite mos zbardhja e tyre, ka qenë dështimi më i madh i shoqërisë tonë për ta ndëshkuar krimin dhe kriminelët dhe për të vendosur një shtet të se drejtës, ku sundon rendi dhe ligji”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Kur jemi te vrasjet politike të pas luftës, Haziri thotë se disa duhet të trajtohen në Gjykatën Speciale, por pjesa dërmuese duhet të zgjidhen nga gjykatat e rregullta të Kosovës. 

“Është fakt se disa nga vrasjet politike po trajtohen edhe nga Gjykata Speciale, dhe për këto raste institucionet e drejtësisë vendore duhet të kenë një bashkëpunim me dhomat e specializuara të kësaj gjykate. Dhe unë pres nga qeveria e re që ta bëjë këtë, por edhe që në ditët e para, kjo qeveri duhet ta shfuqizoj vendimin që mbështet financiarisht të akuzuarit nga Gjykata Speciale. Nuk është normale e as humane për një shtet që aspiron të jetë shtet funksional sa i përket rendit dhe ligjit, dhe në anën tjetër të mbështes të akuzuarit për vrasjen e Xhemajl Mustafës apo edhe personaliteteve të tjera të jetës politike e shoqërore”, theksoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sa i përket asaj se kush qëndron prapa vrasjeve politike si gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, sipas analistit Haziri hedhë akuza ndaj inivideve brenda UÇK-së.

“Është shumë e vërtetë që qëndrojnë disa nga ish eksponentë më të lartë të UÇK-së, vrasje këto që janë bërë më motive politike, për ta dobësuar dhe frikësuar kundërshtarin politik, në këtë rast LDK-së, pasi mbi 100 aktivistë dhe zyrtarë të saj janë të vrarë për motive politike, por emrat e tyre duhet të zbardhen nga drejtësia”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)