Paralajmërimi: Ja kënd e pret vendi në burgun e sigurisë së lartë në Kosovë!

  • 10 November 2019 - 08:19
Paralajmërimi: Ja kënd e pret vendi në burgun e sigurisë së lartë në Kosovë!

“Largim pa dekorata e pa mirënjohje. Fundi i turpshëm do të jetë. Nuk duhet kërkuar prej tyre më as transparencë e as llogaridhënie por largim, burgim dhe konfiskim të pasurisë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsion të Kosovës, njohës i afërt i fushës së sundimit të ligjit në vend, Hasan Preteni, e ka vlerësuar si shumë real raportin e fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili nxjerr në sipërfaqe vazhdimin e mos funksionimit efikas e transparent të sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, e ku konstatohet se edhe Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, më shumë po shënojnë regres se sa progres.

Një nga elementet e dobëta që marrin kritikë serioze në këtë raport monitorimi të institucioneve të drejtësisë për gjatë vitit 2019, janë të dhënat që flasin se janë shënuar shumë raste kur gjykatës, prokuror, kryetar të gjykatave dhe kryeprokuror të caktuar kanë rënë në kundërshtim me parimet dhe Kodin e Etikës, por asnjë prej tyre nuk është shkarkuar për shkak të performancës së dobët apo për shkak të masave disiplinore.

Image
Hasan Preteni

Sipas Pretenit, është koha e fundit që praktikat e tilla mos të tolerohen më tutje, por secili të përballet me përgjegjësinë dhe llogaridhënien që i takon, të pastrohet dhe të profilizohet e reformohet tërësisht sistemi i drejtësisë.

“Ngase pasqyra e deritanishme e punës së tij është një imazh i keq jo vetëm për drejtësinë si sektor i veçantë i institucioneve brenda shtetit, por për shtetin e Kosovës edhe në raportet ndërkombëtare. Se sa poshtë ka rënë drejtësia kosovare, flasin disa nga seancat e fundit të monitoruara dhe vendimet që janë marr aty, dhe disa të tjera të dështuara, që për objekt gjykimi kanë peshqit e mëdhenj dhe mega skandalet që kanë ndodhur para ca vitesh. Po “ka rezultate”, në këtë javë “ Gjyqësori”ka filluar ta lufton krimin!!! Një person dënohet me një vit burg për vjedhjen e akumulatorit të një Golfi-2” Nuk ka shaka me pushtetin e tretë në Kosovë!!!”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”. 

E kur e krahason këtë rast me mega skandalet që po presin vite të tëra, Preteni shpërthen duke mos u përmbajtur, por duke kërkuar largimin sa më të shpejtë edhe nga KGJK-ja edhe nga KPK-ja të të gjithë atyre që përbëjnë kupolën e kapur nga krimo politika, njësoj sikur që iku dhe dha dorëheqje edhe kryespiuni i AKI-së.

“E rastet “ toka”, “ stenda”, “ veteranët” e shumë raste tjera nuk po mbajnë seanca gjyqësore në mungesë të kushteve procedurale!!! Po mos të ishte situata tragjike do të ishte shumë komike. Të gjithë bartësit e funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore duhet menjëherë të veprojnë ashtu siç veproi shefi i AKI-së, sa më shpejtë në shtëpi e mos të presin epilogun që pashmangshëm do ta kenë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Madje Preteni thotë se duhet të largohen edhe pa u dekoruar, sepse është e sigurt që shumë nga ata po i pret edhe vendi i rezervuar diku në burgjet e sigurisë së lartë të Kosovës.

“Largim pa dekorata e pa mirënjohje. Fundi i turpshëm do të jetë. Nuk duhet kërkuar prej tyre më as transparencë e as llogaridhënie por largim, burgim dhe konfiskim të pasurisë”, përfundoi Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)