Gambia padit Birmaninë në GjND për gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya

  • 11 November 2019 - 13:56
Gambia padit Birmaninë në GjND për gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya

Shteti i vogël afrikan, Gambia, ka vendosur që ta padisë Birmaninë e Azisë Jugore për gjenocid ndaj myslimanëve të komunitetit Rohingya.

Ky shtet e ka dorëzuar padinë me 46 faqe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë dokument, Birmania akuzohet për vrasje masive, dhunime dhe shkatërrim të komuniteteve në rajonin Rakhine.

Nëse gjykata më e lartë e OKB-së e merr në shqyrtim këtë rast, kjo do të ishte hera e parë që GjND-ja me seli në Hagë heton dyshimet për gjenocid në mënyrë të pavarur, pa u mbështetur në gjetjet e gjykatave të tjera. 

Në këtë padi thuhet se rregullat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mundësojnë që një shtet anëtar i OKB-së mund të marrë masa kundër një shteti tjetër anëtar rreth dyshimeve për shkelje të ligjeve ndërkombëtare, në këtë rast të konventës së vitit 1948 për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit.

Gambia, anëtare e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, e ka marrë “bajrakun” e këtij rasti gjyqësor kundër Birmanisë dhe po përkrahet edhe nga shtetet e tjera islame. Një seancë gjyqësore për këtë padi pritet të mbahet në dhjetor, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)