Ora “Patek Philippe” shitet për çmim rekord prej 31 milionë dollarësh, paratë jepen për bamirësi

  • 12 November 2019 - 11:20
Ora “Patek Philippe” shitet për çmim rekord prej 31 milionë dollarësh, paratë jepen për bamirësi

Prodhuesi zviceran i orëve luksoze, Patek Philippe, ka shënuar rekord me shitjen e një ore të veçantë me çmim prej 31 milionë dollarësh. Ajo është modeli i vetëm dhe i veçantë i këtij lloji, ndërsa paratë do të dhurohen për hulumtime shkencore për distrofinë muskulore.

Ora e quajtur “Patek Philippe Chime 6300A-010” është prodhuar ekskluzivisht për një ankand bamirësie që u mbajt në Gjenevë të Zvicrës. Kjo orë mund të lexohet nga të dyja anët. Në njërën anë ka fushë të zezë, ndërsa në anën tjetër fushë me ar të kuq prej 18 karatësh. Ora e shtrenjtë ka rripa të zinj nga lëkura e aligatorit. 

Rekordi i mëparshëm për orën më të shtrenjtë të shitur në ankand ishte një orë e prodhuar në vitin 1932 po nga firma “Patek Philippe”,  e cila ishte shitur për 23.2 milion franga zvicerane në vitin 2014 në Gjenevë.

Prodhuesi “Patek Philippe” është i njohur për orët luksoze dhe shumë të shtrenjta. Ato dallohen nga mekanizmi i ndërlikuar, qëndrueshmëria dhe materiali i shtrenjtë nga i cili prodhohen.

Ndryshe, në ankandin e organizuar për mbledhje të fondeve për distrofinë muskulore u mblodhën 38.8 milionë dollarë, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Onlin)