Dështimet skandaloze, kërkohet dorëheqja e Valdete Dakës

  • 13 November 2019 - 07:47
Dështimet skandaloze, kërkohet dorëheqja e Valdete Dakës

“Nëse bëhet fjalë për z. Daka vetë apo për KQZ-në, ajo do të duhej të parashtronte kërkesë për dorëheqje, por në këtë fazë e tutje, pasi që nuk ka vend për dorëheqje, do të duhej të refuzohej ajo kërkesë dhe të procedohej shkarkimi dhe dhënia e përgjegjësisë për dështime të tilla e të tjera të dëmshme për vendin e paranë e popullit”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka ka reaguar për skenarët e fundit të lojës me vota që po ndodhin në KQZ, duke theksuar se shumë veprime në këtë institucion po ndërmerren në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, mbi bazën e të cilave duhet të funksionon KQZ-ja.

Image
Riza Smakaj

“Vendi, roli e funksioni i KQZ-se është përcaktuar me dispozitën e nenit 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas kësaj KQZ-ja është një nga institucionet kushtetuese dhe si i tillë kurdoherë do të duhej të ishte i përkushtuar vendosmërisht në funksion të zbatimit të ligjit në fuqi. KQZ-ja apo është organ i përhershëm që i përgatitë, mbikëqyrë, drejton,dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe si i tillë, KQZ-ja si organ i përhershëm i Republikës së Kosovës i ka privilegjet shtetërore të nevojshme për të përgatitë me kohë sa dhe siç kërkohet të gjitha aktet, formularët dhe mjetet e nevojshme për organizimin dhe procedimin e zgjedhjeve të rregullta e të ligjshme. Ndërkaq KQZ-ja jo vetëm në këto zgjedhje ka manifestuar dobësi organizative të dukshme. Ndër të tjera është manifestuar dobësia e tij në hartimin e formularëve të nevojshëm për të cilin shkak është zhagitur procesi zgjedhor”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor Smakës, dështimet janë të mëdha dhe të një pas njëshme.

“Në këto zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, KQZ-ja ka dështuar në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes adekuate e efikase të procesit zgjedhor, e si pasojë negative është treguar nevoja e rinumërimeve, madje edhe numërimeve të votave të hedhura. Në atë mënyrë është zhagitur e po zhagitet korrupëtisht procesi zgjedhor, krejtësisht në dëm të interesave publike për të formuar qeverinë aq të nevojshme për të ushtruar shumë e shumë detyra akute e aktuale”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Rrjedhimisht, sipas profesor Smakës, KQZ-ja nuk e ka orientuar drejtë e mirë procesin zgjedhor, prandaj ka dalë aktuale dhe e domosdoshme edhe nevoja për rinumërime e ri rinumërime.

“Çdo jurist, madje fillestar, praktikant, duhet të dij se konform me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, shkresa, akti apo dokumenti i nisur me kohë apo brenda afatit nëpërmjet postës, edhe nëse do të arrinte me vonesë, qoftë me vonesë të madhe, trajtohet brenda afatit ligjor. Çuditërisht z. Daka, juriste e me vokacion gjykatëse me bashkëpunëtorë në KQZ-ne nuk e paska pas ditur apo e paska pas ditar por nuk paska pas interes për të ditur”, shtoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

“Aktualisht vendosja e KQZ-se për rinumërime të fletëvotimeve të numëruara për të satën herë, është banale, irrituese dhe përvesove, padyshim e kontaminuar me tendenca korruptive! Në atë mënyrë KQZ-ja në masë të konsideruar e ka devalvuar vullnetin politik shembullor të qytetarëve të Kosovës të cilët falë ndonjë rastit përjashtues kanë votuar konform më kulturën civile, etike e politike të nivelit të lakmuar”, potencoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, KQZ-ja nëpërmjet vonesave teknike e arbitrare të përfundimit e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pos pakënaqësive, zhgënjimeve e irritimeve të përgjithshme, po shkakton edhe harxhime të parasë së popullit tonë të varfër.

Për këtë lojë të pistë, sipas profesorit Smaka, Kuvendi i Kosovës, pas themelimit, duhet ta merr në përgjegjësi Valdete Dakën, duke kërkuar edhe shkarkimin e saj.

“Gjithsesi ,të presim konstituimin e ekzekutivit dhe të legjislativit të ri, dhe të parashtrimit dhe të procedimit të përgjegjësisë së KQZ-së për mungesë të efikasitetit, për in eficiencë, arbitraritet e mungesë të përgjegjësisë juridike e politike. Nëse bëhet fjalë për z. Daka vetë apo për KQZ-në, ajo do të duhej të parashtronte kërkesë për dorëheqje, por në këtë fazë e tutje, pasi që nuk ka vend për dorëheqje, do të duhej të refuzohej ajo kërkesë dhe të procedohej shkarkimi dhe dhënia e përgjegjësisë për dështime të tilla e të tjera të dëmshme për vendin e paranë e popullit”, përfundoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)