Zyrtari i NISMA’s thotë se kandidati i VV’së fyeu 18 familjet që patën vdekje nga rriqrat

  • 16 November 2019 - 18:16
Zyrtari i NISMA’s thotë se kandidati i VV’së fyeu 18 familjet që patën vdekje nga rriqrat

Vesel Krasniqi, anëtar i kryesisë së NISMA’s ka thënë se kandidati i Vetëvendosjes për deputet nga Rahoveci ka fyer 18 familjet e Malishevës që kanë humbur familjarët e tyre si pasoje e pickimit nga rriqrat.

Ky reagim i Krasniqit ka ardhur pasi Korenica krahasoi Partinë e Fatmir Limajt me rriqrat.

Rriqrat për një kohë të gjatë kanë qenë problemi kryesor në Malishevë ku kanë vdekur edhe qytetarë të kësaj komune si pasojë e pickimit të rriqrave.

NISMA për Kosovën shumicën e votave prej themelimit i merr në këtë komunë.

Vesel Krasniqi ka thënë se zyrtari i Vetëvendosjes ka përçmuar sidomos familjarët e atyre që kanë humbur jetën nga rriqrat.

“Ju që kërkuat vota nga qytetarët e Malishevës në kuadër të VV-së e sidomos ju kandidat për deputet i dështuar nga vv që fyeni qytetarët e Malishevës dhe krahasoni me rriqrat nga të cilat kanë vdekur 18 qytetar të Komunës së Malishevës, duhet të ju vie turp si një “intelektual” që na rikujtoni neve dhe familjeve që kanë humbur familjarët e tyre nga rriqrat”, ka shkruar Krasniqi, në një reagim në FB.

Image

“Andaj juve Visar Korenica duhet të iu vie turp për fyerje të tilla që ju dhe subjekti juaj keni marrur vota edhe nga qytetarët e Malishevës, e që jam shumë i sigurt që herave tjera do ta merrni fakturën e merituar nga këta qytetarë”, ka paralajmëruar ai.

“NISMA si rriqrat – sa shumë ngjashmëri”. Ky ishte komenti i kandidatit për deputet me numër 83 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

Rahoveciani që ka dështuar të bëhet deputet e ka bërë këtë koment pasi zyrtarët tjerë të Vetëvendosjes dhe NISMA’s filluan akuzat për ngacmime seksuale e orgji pasi koalicioni i Fatmir Limajt me Pacollin kaloi pragun, mori gjashtë deputetë, tre prej të cilëve mund t’i shkonin Partisë së Albin Kurtit.

Visar Korenica ishte votuar nga 4 mijë e 556 qytetarë të Republikës.

Kandidati i partisë fituese ka shkruar edhe një reagim në FB duke thënë se s’e ka përmendur Malishevën kur ka krahasuar NISMA’në me rriqrat.

“Askund se kam permend Malisheven qe e kam per zemer si cdo qytet tjeter te Kosoves”, ka shkruar Korenica, në një reagim të mëvonshëm.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka dalë parti fituese. Është duke negociuar ndërtimin e koalicionit me LDK’në.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK s’kanë qeverisur asnjëherë. Janë kundërshtuar mes vete. Kur LDK ishte në pushtet, Vetëvendosje dhe Albin Kurti i ishin referuar Isa Mustafës si “njeri i Serbisë”. E kishin gjuajtur me ve, gazlotjsjellës dhe i kishin sulmuar në rrugë e shtëpi. Tash, Albin Kurti i referohet Isa Mustafës si profesor Mustafa.

Deri më tash është raportuar se LDK hyn në koalicion nëse e merr Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Financave etj.

Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë thënë se do t’i japin LDK’së pushtet aq sa ka peshë në skenën politike.

(Kosova Sot Online)