Qosja: Predikuesit e kombit kosovar janë mbledhur në ASHAK, ata e cenojnë kombin shqiptar

  • 18 nëntor 2019 - 10:57
Qosja: Predikuesit e kombit kosovar janë mbledhur në ASHAK, ata e cenojnë kombin shqiptar

Akademik Rexhep Qosja është treguar kritik me disa persona të cilët sipas tij janë mbledhur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Sipas Qosjes personat të cilët po e predikojnë kombin kosovarë në fakt po e cënojnë atë.

“Me ndikim cenues, të veçantë, ndaj kohezionit shoqëror dhe mbarëkombëtar është ideja e kombit kosovar, predikuesit e së cilës janë të mbledhur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Njëri prej ish kryetarëve të kësaj Akademie para disa vjetësh do të deklarojë me një rast se “pakicat kombëtare, sidomos ajo serbe, sigurinë e tyre në Kosovë do të mund ta realizojnë vetëm me krijimin e kombit kosovar!”, ka shkruar Qosja.

Tutje ai ka thënë se në periudhën e demokracisë situata do të duhej të përmirësohej. Mirëpo lirinë, Qosja thotë se nuk po dimë ta shfrytëzojmë.

“Kemi menduar se në periudhën pjesëmarrës të së cilës jemi – në periudhën e demokracisë do të përmirësohet shpejt jeta jonë në të gjitha fushat e saj. Por, shpejt do të jemi të detyruar t’i besojmë shkrimtarit të madh francez, Andre Zhid, i cili thotë: “Lirinë më lehtë e fitojmë se ç’do të dimë ta shfrytëzojmë”. Shumë më shpejt se ç’mund të na ketë shkuar mendja po shihet se sa e se si po cenohet, madje, kur e ku po rrezikohet kohezioni ynë shoqëror dhe mbarëkombëtar”, ka shkruar ai.

Këto komente, akademiku Rexhep Qosja i ka bërë në profilin e tij në Facebook.

(Kosova Sot Online)