Policia spanjolle ia gjen bandës shqiptare 16 mijë fije kanabis në pyll

  • 18 November 2019 - 13:59
Policia spanjolle ia gjen bandës shqiptare 16 mijë fije kanabis në pyll

Policia e Spanjës i ka arrestuar gjashtë persona dhe i ka konfiskuar 16 mijë fije të bimës kanabis sativa pas një hetimi të gjatë lidhur me rritjen e vjedhjeve. Këto bimë ishin të kultivuara në mënyrë të sofistikuar dhe ishin të fshehura në thellësi të një pylli me pisha.

Ky operacion filloi shtatë muaj më parë, kur policia shtetërore mësoi se një bandë shqiptare i kishte vjedhur disa makina për shitjen e cigareve në disa kafene dhe pompa të benzinës në rajonin verilindor të Aragon-it.

Zyrtarët e sigurisë zbuluan se e njëjta bandë ishte duke kultivuar kanabis me sasi të madhe dhe madje kishin ndërtuar kampe për ta përcjellë vazhdimisht rritjen e bimëve nga të cilat prodhohet droga.

Në vendin ku u gjet droga mund të shkohet vetëm pas një rrugëtimi prej 30 minutash me veturë për terrene të vështira dhe 30 minuta ecje në këmbë në rrugica të vështira.

“Kjo bandë kishte prerë shumë pisha për ta rritur sipërfaqen për mbjellje të kanabisit. Ata gjithashtu kishin ndërtuar kanale për ujë, të cilat i mbushnin me pompa dhe gjeneratorë elektrikë”, thuhet në deklaratën e policisë.

Policia tha se këto hapësira ruheshin nga pjesëtarët e bandës ditë e natë. Autoritetet e kishin zbuluar vendndodhjen e bimëve narkotike në shtator dhe për kryerjen e operacionit të rrezikshëm u nevojitën 70 policë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)