Greqia do t’i zëvendësojë kampet e imigrantëve me qendra të ndalimit

  • 20 November 2019 - 15:27
Greqia do t’i zëvendësojë kampet e imigrantëve me qendra të ndalimit

Autoritetet greke e kanë publikuar një plan për mbylljen e tri kampeve më të mëdha për imigrantë dhe zëvendësimin e tyre me qendra të ndalimit.

Njerëzit që janë duke jetuar në kampet e mbingarkuara në ishujt Lesbos, Chios dhe Samos do të vendosen më vonë në komplekse të mbyllura për identifikim, rivendosje dhe dëbim. Këto ndërtesa do të kenë kapacitet për së paku pesë mijë njerëz secila.

Më shumë se 27 mijë imigrantë janë tash për tash të strehuar në këto tri qendra, ndonëse ato kanë kapacitet vetëm për 13500 persona. Kushtet në të cilat po jetojnë këta imigrantë janë kritikuar vazhdimisht nga grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Këshilli i Evropës.

Zëvendësministri grek i mbrojtjes, Alkiviadis Stefanis, tha se edhe kampet më të vogla në ishujt Kos dhe Leros do të shndërrohen në qendra të ngjashme. Ky vendim i qeverisë greke vjen në kohën kur po afrohet dimri dhe kur qindra familje po flenë në tenda, jashtë qendrave zyrtare në pesë ishuj.

Sipas zyrtarëve grekë, azilkërkuesit nuk do të lejohen që të lëvizin të lirë brenda dhe jashtë qendrave të ndalimit, por do të qëndrojnë të mbyllur derisa t’iu jepet statusi i refugjatit ose të dërgohen në pjesën kontinentale dhe të kthehen në Turqi.

Qeveria është zotuar se do t’i vendosë në kampe të mbyllura 20 mijë azilkërkues deri në fillim të vitit 2020, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)