Ish-luftëtarit të ISIS’it që jeton në Obiliq i shtohet akuzohet sërish për terrorizëm

  • 20 November 2019 - 20:08
Ish-luftëtarit të ISIS’it që jeton në Obiliq i shtohet akuzohet sërish për terrorizëm

Fitim Lladrovci do të përballet me një aktakuzë tjetër pas një postimi ku mbështet sulmet terroriste.

Ai qëndroi në burg më shumë se 3 vite. Por kjo periudhë prapa grilave duket se nuk i shërbeu Fitim Lladrovcit që të ndryshojë qëndrimet e tij.

I dënuar për veprën për organizim ose pjesëmarrje në grup terrorist dhe për armëmbajtje pa leje me 5 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Lladrovci gjatë tërë kohës kishte shprehur qëndrimet pro grupit terrorist Shteti Islamik.

E një postim i tij gjatë muajit prill të këtij viti, Lladrovcit i shkaktoi sërish probleme me organet e drejtësisë në vend.

Ndaj tij, Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka ngritur një aktakuzë të re.

Kësaj radhe atij i vihet në barrë kryerja e veprës penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste’’.

“Prokuroria Speciale njofton se F.Ll. ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyrë që prej vitit 2018 e deri  më 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur  në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë  duke komentuar “Me ndihmën e Allahut, bijtë e Ummetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe New York”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Pikërisht për këtë postim, më 24 prill të këtij viti, Fitim Lladrovci u arrestua nga Policia e Kosovës, me urdhër të prokurorit special.

Organi i akuzës, më tej në aktakuzën ndaj Lladrovcit, përmend edhe fotografitë e publikuara në rrjete sociale e të cilat edhe i komenton.

“Ka postuar video incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj Organizatës terroriste – Shteti Islamik- “ISIS”, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtarëve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin”, thotë Prokuroria.

Fitim Lladrovci është emër i njohur për organet e drejtësisë sa i përket veprave penale që ndërlidhen me terrorizëm.

Ai madje vet kishte pranuar se kishte marr pjesë në këto grupe në vitin 2015, kur edhe iu shqiptua një dënim unik prej 5 vitesh burgim.

Por, për shkak se i dënuari për terrorizëm kishte ndihmuar në operacionin e kthimit të fëmiut Erion Zeka nga zonat e konfliktit në Siri, të njëjtit Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2015 ia kishte zvogëluar koha e vuajtjes së dënimit nga 5 në 3 vite e gjysmë.


(Kosova Sot Online)