Legjislatura e Kuvendit, kjo është kërkesa për deputetët e rinj

  • 22 November 2019 - 13:51
Legjislatura e Kuvendit, kjo është kërkesa për deputetët e rinj

“Deputetët e rinj, nuk guxojnë të shfaqen si kopje e atyre të vjetërve dhe të vazhdojnë të jenë gardian të mbrojtjes së interesave klienteliste politike apo nënshtrohen diktaturës së liderit politik, sepse Kosova dhe Qeveria e re e saj do të ballafaqohen vërtetë me sfida të mëdha”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ndonëse pjesërisht akoma janë në rinumërim, por që nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim në renditje, legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës pritet t’i ketë 42 deputetë që për herë të parë do të ulen në karrigen e deputetit.

Një ndryshim kaq i madh me figura të reja në përbërjen e legjislativit, sipas analistëve politikë do të duhej të reflekton pozitivisht edhe në angazhimin e tyre për interesin e përgjithshëm publik për qytetarët.

Një kërkesë dhe pritje optimiste të këtij angazhimi, e ka analisti politik, Gani Qarri.

Ai thotë se nëse rinumërimi i vendvotimeve sërish vërteton numrin formal të shumicës, me ç`rast Vetëvendosje dhe LDK si një koalicion i ri qeverisës mund t’i ofrojë vendit një qeverisje stabile dhe ka shpresë reale për dinamizëm të jetës parlamentare.

Image
Gani Qarri

“Kjo edhe për faktin se në përbërjen e re të Kuvendit,shumica e deputetëve vijnë si të deleguar të rinj e fillestar në parlament dhe legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës pritet t’i ketë 42 deputetë që për herë të parë do ta marrin këtë mandat. Ndaj është e udhës dhe me të drejtë pritet që këta deputet, të tregohen se vërtetë janë të zgjedhurit e popullit dhe do të transmetojnë në Kuvend hallet dhe problemet reale të qytetarëve, duke u treguar opozitar edhe ndaj devijimit të mundshëm të ekzekutivit, pavarësisht përkatësisë politike dhe pozitës,në qeveri apo opozitë”, tha analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, do të ishte injorim dhe shpërfillje e pa tolerueshme e votës së qytetarëve, nëse këta deputetë të rinj, të rreshtuar qoftë në pozitë apo opozitë, bëhen të verbër para problemeve ditore që kanë qytetarët dhe nuk e ngritin zërin, por iu nënshtrohen urdhrave të pa drejta të liderëve politikë.

“Deputetët e rinj, nuk guxojnë të shfaqen si kopje e atyre të vjetërve dhe të vazhdojnë të jenë gardian të mbrojtjes së interesave klienteliste politike apo nënshtrohen diktaturës së liderit politik, sepse Kosova dhe Qeveria e re e saj do të ballafaqohen vërtetë me sfida të mëdha”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Presion veçanërisht të madh, sipas Qarrit qeveria e re mund të ketë pikërisht lidhur me negociatat me Serbinë, për faktin se tanimë pritet të hyjmë në fazën përfundimtare dhe nga faktorët relevant ndërkombëtar mund të kërkohet finalizimi i tyre me marrëveshje dypalëshe.

“Ndaj Qeveria e re, por edhe Kuvendi, ligjvënësit e rinj, duhet të dëshmojnë se janë të e përgatitur mirë për sfidat e mëdha që e presin Kosovën dhe të vërtetojë se nuk do të jetë edhe kjo legjislaturë një dështim, njëjtë si ajo e kaluara”, përfundoi Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)