Strasburgu refuzon t’i nënshtrohet frikës, hap Tregun e Krishtlindjes

  • 22 November 2019 - 18:50
Strasburgu refuzon t’i nënshtrohet frikës, hap Tregun e Krishtlindjes

Strasburgu hapi sot Tregun e tij të famshëm të Krishtlindjes, i bindur për të mos iu dorëzuar frikës, një vit pas atentatit që përgjaku edicionin e mëparshëm.

Këtë edicion të 450-të të Tregut të Krishtlindjes, më i famshmi në Francë, njerëzit i presin 300 stenda të mbushura me zbukurime e biskota nga më të ndryshmet, por nën aromën e verës së ngrohtë do të sillet kujtimi i 11 dhjetorit të kaluar, kur Cherif Chekatt mbolli panik nëpër rrugët e qendrës së qytetit, i armatosur me pistoletë e thikë, një orë para mbylljes së tregut. 

Ai shkaktoi pesë viktima dhe dhjetëra të plagosur, para se të ekzekutohej nga një patrullë policie.

Një vit pas tragjedisë, bashkia dhe prefektura kanë premtuar pajisje sigurie më dinamike e më të koordinuara, edhe pse e pranojnë se Tregu i Krishtlindjes nuk mund të jetë plotësisht i papërshkueshëm.

Këtë vit, “Tregu i Krishtlindjes” do të vazhdojë deri më 30 dhjetor.

(Kosova Sot Online)