Kurti: Do të flas me Borellin për vazhdimin e dialogut, në tavolinë nuk mund të diskutohet për gjithçka

  • 26 November 2019 - 11:45
Kurti: Do të flas me Borellin për vazhdimin e dialogut, në tavolinë nuk mund të diskutohet për gjithçka

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet që të jetë edhe kryeministri i ri i Kosovës në rast të arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se është pro arritje së një marrëveshje me Serbinë, megjithatë ka potencuar se në tryezën e dialogut nuk mund të diskutohet për gjithçka.

Kurti ka thënë se do të takohet me shefin e ri të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, për tu dakorduar rreth vazhdimit të dialogut, ndërkohë ka kritikuar Federica Mogherinin.

“Më duhet të takohem me z.Borell dhe të arrijmë një marrëveshje për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Znj. Mogherini ka lejuar që shumë gjëra të ndryshme të dalin në publik, dhe besoj se bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të vlerësohen në kontekstin e vlerave evropiane. Jo gjithçka duhet të jetë në tavolinë”, ka thënë Kurti në EWB.

I pyetur nga EWB se çfarë nënkupton me ‘gjithçka’, Kurti ka përmendur bisedimet sekrete mes Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit dhe një marrëveshje që thotë ta kenë arritur dy presidentët.

“Mendoj që Thaçi dhe Vuçiq janë takuar disa herë dhe kanë drejtuar negociata sekrete në disa qytetet të ndryshme të Evropës, dhe më pas janë pajtuar për të pasur një marrëveshje. Përshtypja ime, gjithsesi, është që nuk ka asnjë detaj të asaj marrëveshje”, ka shtuar tutje kreu i VV’së.

Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit ka folur edhe sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve, duke thënë se një projekt I tillë ka dështuar por jo edhe ideja.

“ Na lejoni që tashmë të reflektojmë sa i përket korrigjimit të kufijve, që aktualisht është një shkëmbim territoresh. Presidenti i Kosovës, Hashim Thai këtë shkëmbime quan “korrigjim i kufijve me një kompromis të dhimbshëm”, ndërkohë presidenti I Serbisë “demarkacion”. Çfarë lloj korrigjimi, cilat janë gabimet dhe pse duhet të jetë e dhimbshme? Mendoj që një ide e tillë ka ardhur nga presidenti Thaçi, dhe ka dy vite që ai është përpjekur të bind popullin në Kosovë. Në vend të që t’i bindte ata, ai shkaktoi një prej protestave më të mëdha të pasluftës më 29 shtator të vitit të fundit, pasoja ishte komplet e kundërta nga qëllimi. Kështu që ai projekt ka dështuar, megjithatë ideja jo”, ka potencuar tutje kreu i VV’së.

Përveç tjerash, Kurti ka thënë se është kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, teksa ka rikujtuar gjithë historikun e krijimit të “Republika Srpskas” në Bosnje e Hercegovinë, një ‘minishtet’ që e mbanë të paralizuar gjithë shtetin atje.

 “Mendoj që Beogradi e dëshiron të njëjtën gjë në Kosovë, me një ndryshim që s’do të jenë 14 komuna pro 10. Në këtë mënyrë Komuniteti i Komunave me Shumicë Serbe do të bëhej një lloj shteti, që nuk është një republikë, brenda një republike që nuk është edhe aq shtet. Njëjtë sikur në Bosnje, ku është Republika Srpska , që është një republikë por jo një shtet, Brenda një shteti si Bosnja që nuk është një republikë. Një lloj i ‘kukullës babushka’. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se një zgjidhje e tillë vetëm do ta zgjeronin konfliktin dhe do të krijonin probleme të shumëfishta”, ka shtuar Kurti.

Kreu i VV’së thotë se serbët dhe shqiptarët duan drejtësië dhe punë.

“Unë mendoj që popujt duhet të jenë përfituesit final të përfitimeve të çfarëdo marrëveshje, jo Vucici, Thaci e Kurti. Ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje nëse qëllimi i saj është stabiliteti i karrierës së një lideri, kushdo qoftë ai. Kjo është arsyeja pse nuk e mbështes idenë e krijimit të Komunitetit me Shumicë Serbe”, ka thënë ndër të tjera kreu i Vetëvendosjes.

(Kosova Sot Online)