Rusia synon marrëveshje të re me Turqinë për sistemin S-400

  • 26 November 2019 - 12:20
Rusia synon marrëveshje të re me Turqinë për sistemin S-400

Shefi i kompanisë ruse për eksportimin e armëve, “Rosoboronexport”, Alexander Mikheev, tha se Rusia shpreson që të nënshkruajë marrëveshje të re me Turqinë për më shumë sisteme raketore “S-400” në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Një lëvizje e tillë do të mund t’i tensiononte edhe më shumë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë përjashtuar Ankaranë nga programi për prodhimin e aeroplanëve ushtarakë të tipit F-35 për shkak të blerjes së këtij sistemi nga Rusia.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Turqinë edhe për sanksione të mundshme, duke thënë se sistemi raketor rus nuk përshtatet me sistemet mbrojtëse të NATO-s. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha javën e kaluar se Turqia duhet ta refuzojë sistemin S-400.

Megjithatë, Mikheev tha në një intervistë se Moska dhe Ankaraja janë duke zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për ta shfrytëzuar mundësinë e kontratës së tanishme për të blerë më shumë raketa mbrojtëse.

Për më tepër, presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha para anëtarëve të partisë së tij se Turqia synon që brenda 5-6 vjetësh ta ndërtojë aeroplanin e vet ushtarak, shkruan “Reuters”.