Kërkohet Vetting-u në Kosovë: Vetëm kështu pastrohet drejtësia kosovare

  • 27 November 2019 - 07:47
Kërkohet Vetting-u në Kosovë: Vetëm kështu pastrohet drejtësia kosovare

“Në anën tjetër flitet dhe shkruhet se funksionar të caktuar të judikaturës gjatë periudhës së ushtrimit të funksioneve të veta janë stër pasuruar iracionalisht! Gjendja e tillë është e pa tolerueshme dhe medoemos kërkohet ndërmarrje masash ligjore në funksion të ndërmarrjes së masave juridike adapte. Kjo tematike pritet nga institucionet ekzekutive e legjislative të reja të trajtohet me seriozitet dhe në sistemin e drejtësisë të aplikohet Veting-u serioz dhe gjithëpërfshirës”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, njëherit edhe njohës me përvojë i fushës së të drejtës, konsideron se një nga shtyllat e dështuara të shtetit të Kosovës në këto 20 vite në liri, dhe 13 vitë në pavarësi të plotë të shtetit të ri, është sistemi i drejtësisë.

Smaka thekson se Kosova është akoma larg vendeve me demokraci të zhvilluar dhe me sistem të pavarur të së drejtës, i cili në ato vende çmohet dhe vlerësohet lartë nga qytetarët.

Profesor Smaka e pranon se Kosova vërtetët po vuan për gjyqtarë e prokurorë, dhe hetues që kanë etikë e integritet profesional, dhe që nuk i nënshtrohen politikës së tej inkriminuar.

Image
Riza Smakaj

“Prandaj të tillët mbase do të dalin në skenë vetëm pasi edhe drejtësia kosovare të jetë pastruar e dëshmuar nëpërmes të ligjit Vetting, ngase nuk është rastësi që sistemi i drejtësisë në Kosovë, për këto 20 vite, është shndërruar edhe në biznes kriminal. Posti i prokurorit publik dhe i gjykatësit është i vlerësuar në shoqëritë politike të përparuara. Po ashtu edhe individët e zgjedhur në judikaturë, në shoqëritë politike të përparuara, mjerisht çfarë nuk është e jona, vetë ndjehen të nderuar dhe të privilegjuar. Ndaj edhe funksionet e veta i ushtrojnë me përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjësi personale, profesionale, morale, politike e objektive. Në rrethana të atilla çështjet juridike në etapën e prokurorisë e rrjedhimisht të gjyqësorit, trajtohen me seriozitet, pedanteri dhe profesionalizëm të kultivuar. Së andejmi sikundër palët në procedura prokuroriale e gjyqësore në një anë, sikundër edhe qytetarët, në përgjithësi, në anën tjetër, janë të kënaqur referuar trajtimit të çështjeve sikundër institucioneve të judikatures. Edhe besimi në institucionet publike është i lartë. Funksionarët e judikaturës në shtetet e së drejtës kurdoherë janë të survejuar përkitazi me pasurinë në funksion të pasurisë së ndershme”, tha profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, në vendet e tilla çfarë akoma Kosova nuk e ka arritur në këtë nivel, me ashpërsi të madhe kontrollohet dhe verifikohet edhe pasuria e krijuar e të punësuarve në sistemin e drejtësisë.

“Në rast të pasurimit të pandershëm i cili mundë të arrihet në shumë trajta korruptive e perversive, mekanizmi i mbikëqyrjes së ( pa)ndershmërisë në jurikaturë imediatisht ndërmerr masa policore, administrative, civile e penale, varësisht nga rastet e inkriminuara”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online.

Mirëpo kur bëhet krahasimi i Kosovës me vendet e tilla të sundimit të ligjit, sipas Smakës, Kosova mbetet tepër larg, prandaj procesi mundë të arrihet dhe përshpejtohet vetëm me ligjin Vetting.

“Tani më në vendin tonë funksionarët e judikaturës janë të paguar jashtëzakonisht mirë madje më mirë nga cili do vend fqinjë i Kosovës dhe kanë kushte të volitshme për t'i ushtruar funksionet e besuara. Ndërkaq sipas raportimeve të ushtrimit të funksioneve të judikaturës ,del se judikatura nuk është efikase as efecientë, madje as për së afërmit. Në anën tjetër flitet dhe shkruhet se funksionar të caktuar të judikaturës gjatë periudhës së ushtrimit të funksioneve të veta janë stër pasuruar iracionalisht! Gjendja e tillë është e pa tolerueshme dhe medoemos kërkohet ndërmarrje masash ligjore në funksion të ndërmarrjes së masave juridike adapte. Kjo tematike pritet nga institucionet ekzekutive e legjislative të reja të trajtohet me seriozitet dhe në sistemin e drejtësisë të aplikohet Veting-u serioz dhe gjithëpërfshirës”, përfundoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)