Ferma ruse iu vendos lopëve ekrane VR për t’ua zvogëluar stresin
Një fermë në Rusi iu ka vendosur lopëve ekrane të realitetit virtual, të cilat janë të përshtatura për kokën e këtyre kafshëve. Ferma veproi kështu me qëllim që t’ua zvogëlojë stresin lopëve qumështore, ndërsa në ekran ato do ta kenë pamjen e një fushe të bukur në stinën e verës.
Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Rusi thotë se me hulumtime është dëshmuar se ekziston një lidhje mes përvojës emocionale të kafshëve dhe sasisë së qumështit që e japin ato.
Raportohet se testet fillestare të përdorimit të këtyre ekraneve kanë dhënë rezultate pozitive për përmirësimin e gjendjes emocionale të kafshëve.
“Shembujt e fermave me lopë qumështorë në vende të ndryshme dëshmojnë se prodhimi i qumështit rritet kur ka atmosferë të qetë”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
Hulumtuesit do t’i përcjellin efektet e këtyre ekraneve te këto kafshë për një periudhë relativisht të gjatë. Nëse dëshmohet se ka rezultate pozitive, ky projekt pritet të zbatohet edhe te fermat e tjera, shkruan “BBC”.
(Kosova Sot Online)