Profesori i njohur godet rëndë drejtësinë kosovare për Devollët

  • 28 November 2019 - 07:30
Profesori i njohur godet rëndë drejtësinë kosovare për Devollët

“Njerëzit që janë përgjegjës janë akoma të fuqishëm. Ata e kontrollojnë prokurorin dhe gjykatat, policinë dhe shume subjekte tjera shtetërore. Vetë ky fakt tregon pse nuk kemi përgjegjësi. Dhe prandaj jam i bindur se pa një VETTING në tërë mekanizmat e luftimit të krimit, të rendit dhe të sigurisë, kurrë nuk do të kapen përgjegjësit edhe kur bëhet fjalë për veprën e tillë penale sepse në këtë vepër janë të përfshirë shumë autor. Ata janë edhe në PDK, edhe në LDK, dhe në NISMA, e cila kishte pushtet aso kohe me Fatmir Limajn, deri tek subjektet tjera. E kjo kërkon një hetim dhe përkushtueshmëri më të madhe deri në zbardhjen e krimit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi ka adresuar së fundi kritika të ashpra ndaj Prokurorisë së shtetit dhe gjyqësorit, për shkak të mos trajtimit adekuat dhe me prioritet të skandalit të zhvatjes së Telekomit të Kosovës nga Devollët, përmes kontratës kriminale PTK–Z-Mobile.

Profesor Kelmendi thotë se mos veprimi i drejtësisë në këtë çështje, edhe pas konstatimit të plotë të komisionit hetimor në Kuvendin e Kosovës, mandatin e kaluar se kontrata ishte në dëm të Telekomit dhe tërësisht e kundërligjshme, flet më së miri se në çfarë niveli të kapjes kriminale gjendet drejtësia kosovare.

Image
Muhamet Kelmendi

“Rasti i krimit të bërë ndaj PTK-së nga Z-Mobile tregon më së miri nivelin dhe energjinë kriminale që e ka kapur Kosovën tash e 20 vjet. Krimi i kryer është për analizë edhe nëpër bankat universitare të fakulteteve juridike, sepse është kryer një krim ekonomik në përmasa marramendëse dhe askush nuk është përgjigjur deri më tani, ndonëse autorët e krimit njihen, edhe metodat gjithashtu dihen, objekti ekziston. Dhe, megjithatë nuk kemi përgjegjësi”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, kjo aferë e madhe, dhe mos ndëshkimi i atyre që e kanë shkaktuar, tregon fuqishëm se deri ku ka mbërritur kriminaliteti i karakterit ekonomik, që nuk hetohet as nuk ndiqet nga kjo drejtësi e tej kriminalizuar dhe uzurpuar nga mafio-oligarkia në rritje.

“Ai është një krim që nuk duhet të harrohet dhe tërësisht pushteti i atëhershëm, që e ka lejuar një krim të tillë, duhet të përgjigjet. Duhen të përgjigjen penalisht para gjykatës tre nivele. Së pari, pushtetarët e Qeverisë që lejuan dhe nën diktatin e tyre u lidhë ajo kontratë, së dyti vetë udhëheqësit e PTK-se që e pranuan dhe e nënshkruan kontratën dhe së treti, udhëheqja e Z-Mobile që morën iniciativën, detyruan nënshkrimin dhe pranuan kontratën e tillë. Përgjegjësia është e lartë nëse për këtë vepron drejtësia”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ndaj, sipas tij, duhet të veprojë prokuroria dhe gjykatat lidhur me këtë krim të nivelit më të lartë, dhe të shumës shumë të madhe të zhvatur deri më tani me një veprim të hapur të legalizimit të krimit për një dekadë të tërë.

“Përvoja e deritanishme e ndikimit të politikës në drejtësi, lë pak për të shpresuar që ky skandal ta merr epilogun meritor nga drejtësia sepse njerëzit përgjegjës vazhdojnë të jenë akoma të veshur me pushtet”.

Zhveshja e tyre nga pushteti, sipas Muhamet Kelmendit, mundë të bëhet vepër me ligjin Veting.

“Njerëzit që janë përgjegjës janë akoma të fuqishëm. Ata e kontrollojnë prokurorin dhe gjykatat, policinë dhe shume subjekte tjera shtetërore. Vetë ky fakt tregon pse nuk kemi përgjegjësi. Dhe prandaj jam i bindur se pa një VETTING në tërë mekanizmat e luftimit të krimit, të rendit dhe të sigurisë, kurrë nuk do të kapen përgjegjësit edhe kur bëhet fjalë për veprën e tillë penale sepse në këtë vepër janë të përfshirë shumë autor. Ata janë edhe në PDK, edhe në LDK, dhe në NISMA, e cila kishte pushtet aso kohe me Fatmir Limajn, deri tek subjektet tjera. E kjo kërkon një hetim dhe përkushtueshmeri më të madhe deri në zbardhjen e krimit. Kjo zbardhje mundë të bëhet vetëm nëse fillimisht kemi një pastërti të plotë të figurës dhe profesionalizëm; në drejtësi, kërkon angazhim dhe përkushtim për të zbardhur dhe zbatuar të drejtë, e kjo tash për tash po na mungon në Kosovë”, përfundoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)