Rrëfimi i zjarrfikësit që i gjeti shtatë familjarët e tij të vdekur nën rrënoja

  • 29 November 2019 - 07:59
Rrëfimi i zjarrfikësit që i gjeti shtatë familjarët e tij të vdekur nën rrënoja

Zjarrfikësi Arben Cara ka rrëfyer momentin më pikëllues në jetën e tij.

Ai për Abc News ka treguar momentin kur i ka gjetur nën rrënoja shtatë familjarët e tij.

Cara ka theksuar se momenti më prekës ishte gjetja e një vajze shtatë vjeçare.

“Kemi përjetuar një shok të rëndë, pasi fëmija 7 vjeç u gjend në krahët e njeriut të vet, dukej sikur e mbronte. Në ato momente kishim një përjetim të thellë”, thotë ai.

Puna si zjarrfikës ka sjell përvoja të ndryshme gjatë 15 vjetëve, por ngjarja tragjike e 26 nëntorit në Shqipëri e ka goditur si kurrë më parë.

“Fillimisht jam nisur për në Durrës, pasi morëm kontakt me Drejtorin e Zjarrfikëseve në Durrës ku na ka nisur urgjent te hotel palma. Kemi operuar fillimisht te hotel palma duke nxjerrë trupat e një familjeje dhe më pas jam informuar që në Thumanë kishte ndodhur tjetër tragjedi si pasojë e tërmetit. Më kanë dhënë leje dhe urdhëruar të nisem drejt Thumanës për të shkuar në një ekip shpëtimi për të ndihmuar në Thumanë”.

Për Carën të gjithë janë njësoj. Ai shpreh dhimbje për të gjithë viktimat, por shumë rëndë e ka përjetuar gjetjen e shtatë familjarëve të tij.

“Për mua është një humbje shumë e madhe dhe dhimbja është e pakufishme por nuk ka qenë qëllim për të nxjerrë trupat e familjes Cara. Kryesorja ishte të nxirrnim personat gjallë që ne komunikonim”.

Lindita ishte një prej familjarëve të tij, që u shpëtua nga rrënojat

Me gjithë dhimbjen për familjarët e tij e gjithë viktimat që u gjentën nëpër rrënoja, Arben Cara është i vendosur të vazhdojë me përkushtim për ta përballuar situatën duke shpresuar sërish që poshtë rrënojave të gjenden shenja jete.

(Kosova Sot Online)