Tensione në relacionet Francë-Turqi, Erdogan nuk bëri deklaratë por ofendoi

  • 29 November 2019 - 17:39
Tensione në relacionet Francë-Turqi, Erdogan nuk bëri deklaratë por ofendoi

Ambasadori i Turqisë në Francë do të ftohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Francës në Paris për të dhënë llogari dhe shpjegime rreth deklaratës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan se “Macron duhet të bëjë ndonjë kontroll se mbase i ka vdekur truri”.

Këtë  Erdogan e ka thënë sot teksa ka komentuar deklarimet e Macronit ku thoshte se “NATO ka vdekur klinikisht”.

Por nga zyra e Macron këtë po e cilësojnë si ofendim dhe jo deklaratë politike.

 “Kjo nuk është deklaratë, ky është ofendim. Ambasadori do të ftohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme për ta shpjeguar këtë” ka bërë të ditur Zyra e Macron.

Këtë deklaratë Erdogan e ka bërë si përgjigje ndaj komenteve të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron i cili kishte bërë deklarata të ashpra ndaj NATO’s.

Erdogan ka thënë se cilësimet e Macronit se “Truri i NATO-s ka vdekur”, tregojnë për cektësinë e të menduarit të presidentit francez.

Madje, kreu i shtetit turk ka shkuar edhe më tutje duke i bërë thirrje presidentit të Francës që të “kontrollojë trurin e tij se mbase i ka vdekur”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Deklaratën e Macron për NATO-n nuk e ka pritur mirë as kancelarja gjermane, Angela Merkel, e as drejtues të NATO-s.

(Kosova Sot Online)