“Mashtrimi i madh”, Ramush Haradinaj ia dorëzon “stafetën” Albin Kurtit!

  • 01 December 2019 - 07:31
“Mashtrimi i madh”, Ramush Haradinaj ia dorëzon “stafetën” Albin Kurtit!

“Pra, edhe kryeministri Ramush Haradinaj sikurse pararendësit e tij, po largohet nga froni pa e përmbushur premtimin e dhënë qytetarëve të vendit për lëvizje të lirë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë në shtetin e Kosovës. Radha po i vjen të dëshmohet Albin Kurti, njërit prej politikanëve më konsistent në qëndrime dhe më të guximshëm që ka pasur Kosova në këto 30 vjetët e fundit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Derisa po afrojnë festat e fundvitit, premtimet e qeverisë në ikje për liberalizimin e vizave në këtë fund viti, përsëri po mbeten mashtrime.

Kjo bindje është krijuar edhe te analistët politikë, pas lajmit që është dhënë së fundi për vizitën e delegacionit gjerman, Ministrisë Federale për Punë të Brendshme në Kosovë.

Sipas analistit politik, Florim Zeqa premtimit për liberalizim vizash i ka humbur tani çdo kuptim, sepse ai po mbetet peng i mungesës së vullnetit politik të institucioneve, për ballafaqim me krimin e korrupsionin, kriteri kryesor ndonëse i fundit për heqjen e vizave.

Image
Florim Zeqa

“Për këto dhjetë vite, pushtetarët e papërgjegjshëm me dhjetëra herë brenda një viti i kanë mashtruar qytetarët, duke caktuar edhe afate kohore për liberalizimin e vizave për qytetarët. Mirëpo, përveç lëvizjes së lirë të politikanëve, qytetarët akoma nuk e shijuan lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE-së”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, mos bërja publike paraprakisht e vizitës së delegacionit gjerman, flet shumë për mashtrimin e madh të qeverisë në ikje me premtimet që ka bërë gjatë mandatit që po e lë mbrapa.

“Mbajtja në heshtje e një delegacionit gjerman të Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme, që kishte ardhur për të inspektuar përmbushjen e kriterit të liberalizimit të vizave, në fushën e sundimit të ligjit, është një sinjal i keq për Kosovën dhe qytetarët e saj, sepse vetëm pas largimit të delegacionit, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Zyra e Kryeministrit, ka njoftuar se për dy ditë rresht ishte nikoqire e vizitës së delegacionit nga Gjermania, i cili ka kërkuar informata të dorës së parë për arritjen e kritereve të liberalizimit të vizave. Ardhja dhe shkuarja në heshtje e delegacionit gjerman, është dëshmi se pavarësisht mashtrimeve të vazhdueshme të qeveritarëve në ikje se në fund të vitit do të kemi lajme të mira edhe për këtë proces i cili është bërë monoton dhe pa interes për qytetarët e Kosovës. Edhe me këtë rast u vërtetua se mungesa e sundimit të ligjit dhe lufta e dështuar kundër krimit dhe korrupsionit, janë pengesa kryesore që po e zvarritë vendimin pozitiv për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës, e jo arsyetimet e pushtetarëve tonë”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, kryeministri në ikje po ju mbetet me një borxh të madh qytetarëve të këtij vendi, dhe tani mbetet një test tjetër për kryeministrin në ardhje si dhe çfarë do të ndërmerr ai.

“Pra, edhe kryeministri Ramush Haradinaj sikurse pararendësit e tij, po largohet nga froni pa e përmbushur premtimin e dhënë qytetarëve të vendit për lëvizje të lirë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë në shtetin e Kosovës. Radha po i vjen të dëshmohet Albin Kurti, njërit prej politikanëve më konsistent në qëndrime dhe më të guximshëm që ka pasur Kosova në këto 30 vjetët e fundit. Se a do të qëndroj në të njëjtit binarë apo do të ndryshoj kursin politik Albin Kurti, mbetët të shihet në 100 ditshin e parë të qeverisjes së tij”, përfundoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)