Zvicra nis hetimet ndaj turkut të dyshuar për spiunazh

  • 01 December 2019 - 10:33
Zvicra nis hetimet ndaj turkut të dyshuar për spiunazh

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër është duke e hetuar një turk me prejardhje kurde, i cili dyshohet se i ka spiunuar bashkatdhetarët e tij në Zvicër dhe i ka denoncuar më pas te qeveria turke. Besohet se një burrë i raportuar nga personi i dyshuar tashmë është arrestuar në Turqi.

Andre Marty, zyrtar për informim në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, konfirmoi të shtunën se prokuroria zvicerane i ka hapur hetimet kriminale kundër një personi duke u mbështetur në dyshimet e shërbimeve të inteligjencës.

Zyra e Prokurorit nuk dha ndonjë informatë tjetër në lidhje me këtë rast, ndërsa i dyshuari cilësohet i pafajshëm deri në marrjen e ndonjë mase tjetër ligjore.

Sipas gazetës “Tages-Anzeiger”, person ii dyshuar ka jetuar në Zvicër si refugjat për vite të tëra. Thuhet se ai e ka denoncuar një burrë nga kantoni i Bern-ës se gjoja ka punuar për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila nga autoritetet turke cilësohet si organizatë terroriste, por të tillë nuk e vlerësojnë edhe organet zvicerane. Personi i denoncuar ishte arrestuar në mars në Turqi, kur kishte shkuar atje për të marrë pjesë në një dasmë. 

Kjo gazetë raporton se prokuroria është në fazën fillestare të hetimeve kundër informatorit të dyshuar. Për ta vazhduar procesin e hetimeve, prokuroria duhet ta marrë miratimin zyrtar nga qeveria zvicerane.

Gazeta zvicerane shkruan se ky rast e ka vënë në dilemë qeverinë helvetike. Autorizimi i këtyre hetimeve do të shkaktonte krizë diplomatike me Turqinë, ndërsa ndalimi i tyre do të shkaktonte akuza se qeveria e toleron spiunazhin e shteteve të huaja në tokën zvicerane, shkruan “Swissinfo”.

(Kosova Sot Online)